Kreu i shtetit Ilir Meta ka bërë thirrje për hapa pas për të rivendosur normalitetin politik, kushtetues dhe institucional në Shqipëri. Kështu, thirrja e presidentit i drejtohet opozitës dhe qeverisë. Por me këtë deklaratë Ilir Meta lë të kuptuar se shpreson ende që opozita të tërhiqet pas nga vendimi i saj për të djegur në bllok mandatet e deputetëve. E po ashtu një hap pas, do të thotë edhe tërheqje nga protestat e dhunshme për rrëzimin e qeverisë. Megjithatë, nuk dihet se sa të vlefshëm janë në këtë moment hapat pas, kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur t'i japë mandatet e deputetit kandidatëve pasues në listat e zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës. 4 të parët morën sot mandatin nga KQZ, ndërsa parlamenti mbetet legjitim, siç edhe ndërkombëtarët e kanë deklaruar pasi ka shumicën për të vazhduar punën, deri më tani me 85 deputetë. (79 të mazhornacës, Murrizi i PD-së, Lefter Koka i LSI-së, dhe 4 deputetët e rinj që betohen nesër në Kuvend).
E ka qujtuar krizë politike, kushtetuese dhe institucionale që duhej të ishte shmangur, presidenti Ilir Meta, i cili thekson se vazhdimisht ka apeluar mes palëve politike për diaolg.
"Dua të përqendroheshim në çështjet konkrete, por nuk mund të ndaloj pyetjet tuaja, kështu që mund të deklaroj se jemi në kushtet e një krize politike kushtetuese dhe institucionale, e cila mund dhe duhet të ishte shmangur në mënyrë të vijueshme kam apeluar për dialog mes palëve, jo vetëm për të evituar këtë situatë, por për ti paraprirë atij vendimi të rëndësishëm që u paralajmërua në qershorin e kaluar për negociatat në qershorin që po vjen dhe një ditë pas vendimit të qershorit kam thënë se duhet të vijojmë punën qeveri-opozitë, pasi mund të ikë një vit dhe të mbesim në vend. Palët të bëjnë hapa pas dhe të reflektojnë për të vendosur normalitetin politik dhe kushtetues në vend. Unë besoj se kur ka vullnet dhe vihen në plan të parë interesi kombëtar, që duhet të na motivojë shumë. Ka të bëjë edhe më një vendim të mundshëm të BE për çështjen e negociatave, duhet të na shtyjë drejt zgjidhjes politike të kësaj situate" tha ai.