Meta flet si kreu i opozitës së bashkuar: Drafti realizon 100 % hapjen e listave, jo si gënjeshtra e Rilindjes

28 Shtator 2020, 15:53

Për draftin e opozitës së bashkuar ka reaguar dhe Presidenti Ilir Meta i cili duket se e ka mbështetur.

Pavarësisht se ai është i 'zhveshur' nga postet në partitë politike, Meta mbështet draftin e opozitës jashtëparlamentare që u depozitua ditën e djeshme.

Përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, Meta shkruan se drafti realizon hapjen 100 përqind të listave sikundër draftit të propozuar nga PS, të cilën presidenti e cilësoi gënjeshtër.

Në draftin e siguruar nga Report Tv, opozita këmbëngul për ruajtjen e koalicioneve siç janë me ligjin aktual. Që do të thotë të ruhen koalicionet parazgjedhore, ku partitë aleate të shkojnë në zgjedhje me një listë të përbërë dhe jo të përbashkët siç propozohet nga PS.

Në draft propozohet lista 100 % e hapur duke i dhënë 100 % fuqinë popullit të zgjedhë se kush do të jetë përfaqësuesi i tij. Gjithashtu për renditjen e kandidatëve, opozita propozon që renditja të jetë sipas rendit alfabetik, dhe jo nga forca politike siç propozohet në drafin e socialistëve, ku renditja ndryshonte nëse kandidati do të merrte  një numër votash parapëlqyese më të madh sesa mesatarja e votave të partisë në zonë ku ata votojnë dhe se skualifikimi fillon nga fundi.