TIRANË- Në përgjigjen e tij për Kuvendit, ku i ka argumentuar se përse ka shtyrë zgjedhjet, presidenti Ilir Meta i ka bërë edhe një letër ku i drejtohet drejtpërdrejtë kryetari të këtij institucioni, Gramoz Ruçi.
Ajo që vihet re mes rreshtave, Meta shfaqet shumë i shqetësuar për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe për këtë nuk ka hezituar ndihmën e Gramoz Ruçi. Kreu i shtetit kërkon nga Ruçi që të ndërhyjë tek kryeministri Edi Rama që të mos asgjësojë PD-në, duke e etiketuar këtë të fundit si forca e parë opozitare pro atlantike dhe pro europiane e vendit tonë.
"Nuk hezitoj t’ju kërkoj që të ndihmoni Kryeministrin dhe Kryetarin e Partisë Socialiste të mos krijojë precedentin më absurd në historinë e vendeve ish-komuniste atë të asgjësimit të Partisë Demokratike, jo vetëm si forca kryesore opozitare sot, por edhe si forca e parë opozitare pro atlantike dhe pro europiane e vendit tonë", shkruan Meta.
Meta është akuzuar prej kohësh nga mazhoranca dhe kryeministri Edi Rama se vendimet e tij për të shtyrë zgjedhjet janë marrë për të favorizuar PD-LSI.
I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit,
Për 45 vite vendi ynë përjetoi një regjim të sundimit të shumicës të pashembullt në kontinentin tonë dhe të krahasueshëm vetëm me atë të Koresë së Veriut.
Nuk është mirë që sot, kur bota mezi pret që edhe Korea e Veriut të hapet e të ndryshojë, përfaqësues të shumicës parlamentare këtu në Shqipëri të hyjnizojnë regjimin e sundimit të shumicës dhe të bëjnë çdo përpjekje për asgjesimin e opozitës reale dhe demokratike në vend dhe të synojnë dhe kapjen e të vetmit institucion të pavarur siç është aktualisht Institucioni i Presidentit të Republikës.
Ju e dini si askush tjetër se sa kundër djegies të mandateve ka qenë dhe është Presidenti i Republikës. Një veprim i pajustifikueshëm i opozitës, i cili ka sjellë vërtet një precedent mjaft negativ.
Nuk hezitoj t’ju kërkoj që të ndihmoni Kryeministrin dhe Kryetarin e Partisë Socialiste të mos krijojë precedentin më absurd në historinë e vendeve ish-komuniste atë të asgjësimit të Partisë Demokratike, jo vetëm si forca kryesore opozitare sot, por edhe si forca e parë opozitare pro atlantike dhe pro europiane e vendit tonë.
Duke mirëkuptuar edhe pozitën ku ju ndodheni për shkak të detyrës shumë të lartë që përfaqësoni, dhe situatës jo më të mirë dhe përfaqësuese në të cilën gjendet sot Institucioni më i rëndësishëm i vendit për shkak të përgjegjësisë të të gjithë aktorëve politikë në vend, vazhdoj të shpresoj se me përvojën Tuaj të veçantë në jetën parlamentare, do të bëni përpjekjet më të mira për rivendosjen e dialogut politik dhe rikthimin në normalitet të të gjitha intitucioneve demokratike.
Në kushtet aktuale, Kuvendi i Shqipërisë e ka kaq të nevojshme përvojën dhe largpamësinë për zgjidhje të mençura dhe kontribuese, që t’i shërbejnë çeljes së negociatave me Bashkimin Evropian në 18 tetorin që po afron dhe në këtë mënyrë çdo ditë ai duhet të mendojë dhe veprojë në interes të të gjithë shqiptarëve dhe aspiratës mbarëkombëtare për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Besoj se ju me përvojën Tuaj do ta ndihmoni Kuvendin të rikthehet në normalitet.
Së fundmi, Presidenti i Republikës garanton Kuvendin e Shqipërisë se është në detyrë, i gatshëm, bashkëpunues dhe me vetëdije të plotë, për të ndërmarrë të gjitha vendimet e rëndësishme në interesin më të mirë të vendit, në përputhje me kompetencat që i jep Kushtetuta dhe me betimin e tij solemn për t’i shërbyer interesit të përgjithshëm dhe përparimit të popullit shqiptar.