TIRANE-37 ditë nga data 30 Qershor kur janë përcaktuar për t'u zhvilluar zgjedhjet lokale, Presidenti i Republikës Ilir Meta deklaron se është gati që të rishikojë dekretin për të ndryshuar datën për t'i shtyrë në funksion të zgjidhjes së krizës politike. Në një deklaratë të fortë të shpërndarë për mediat nga zyra e shtypit, kreu i shtetit thotë se me vullnetin e palëve është gati që të caktojë një datë tjetër për zgjedhjet lokale për të rrëzuar kështu 30 qershorin, që ai dekretoi vetë.
"Në këtë kuadër, shpreh gadishmërinë time institucionale, që në përputhje me kompetencën që më jep shkronja “gj” e nenit 92 të Kushtetutës, të rishikoj Dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore dhe të dekretoj një datë tjetër për zhvillimin e tyre, në përputhje me vullnetin e shprehur të palëve politike. Garantimi i rendit kushtetues, sigurisë publike, stabilitetit të vendit dhe i zgjedhjeve demokratike, të lira dhe të ndershme janë parime kushtetuese që mbizotërojnë mbi çdo aspekt tjetër formal, përfshirë këtu rishikimin e datës së zgjedhjeve".
Kreu i shtetit kërkon nga kryeministri Edi Rama dhe lideri demokrat Lulzim Basha që të dëgjojnë apelin e Gjermanisë dhe të ulen për të arritur një marrëveshje politike. Meta shprehet gjithashtu se është i gatshëm të lërë mandatin, nëse u jepet qytetarëve e drejta e zgjedhjes së Presidentit me votë. "Ashtu siç deklarova me përgjegjësi më 20 mars nga Pogradeci, mbetem i gatshëm që për një zgjidhje që i shërben interesit më të mire, stabilitetit dhe demokracisë së vendit, të vendos në dispozicion edhe mandatin tim si President i Republikës, nëse palët e gjykojnë edhe këtë element si të rëndësishëm për një zgjidhje gjithëpërfshirëse, që do t’u jepte qytetarëve shqiptarë të drejtën për të zgjedhur edhe Presidentin me votën e tyre të lirë".