TIRANË - Presidenti Ilir Meta ka firmosur këtë të martë kallëzimin penal kundër kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, padi të cilën e dorëzoi në tre prokurori, të Përgjithshem, të Krimeve të Rënda dhe organin e akuzës së Tiranës, për dy vepra penale të "shpërdorimit të detyrës" dhe "përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore".
"Si President i Republikës, po i jap një mundësi historike Reformës në Drejtësi, për të treguar integritetin dhe vërtetësinë e saj", thotë Meta.
Presidenti Ilir Meta e ka akuzuar Dvoranin si ushtar të partisë, sulme që nisën gjatë procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga Presidenti dhe Parlamenti në bazë të listave me kandidatë të radhitur përmes një sistemi pikëzimi nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Krizë që ka çuar në zgjedhjen e dy gjyqtareve Kushtetuese për të njëjtin pozicion të lirë.
Argumentet per shperdorimin e detyres
Presidenti Ilir Meta në argumentet që bën në dokumentin e kallëzimit, pranon detyrimin e tij ligjor për tu shprehur me zgjedhjen e kandidaturave për anëtarë në Gjykatën Kushtetuese, por thotë se fakti që KED i çoi në të njëjtën ditë listat për të zëvendësuar dy vakanca, e "detyruan' kreun e shtetit të shkelë nenin 7/b të ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese që përcakton 30 ditë edhe për Presidentin. Por Presidenti Meta thotë se është dashur të respektohet Kushtetuta që përcakton se secili vend vakant zëvendësohet përmes një radhe, një anëtar i zgjedhur nga Presidenti, një nga Parlamenti, një nga Gjykata e Lartë, dhe kështu me radhë deri në plotësimin e të gjitha vendeve.
"Nëse Presidenti i Republikës, do të ndiqte logjikën dhe procedurën administrative të krijuar qëllimisht nga Kryetari i KED-së, kjo do të përbënte shkelje të drejtpërdrejtë të dispozitave të Kushtetutës dhe të ligjit nr. 8577/2000, sa i takon respektimit të radhës së emërimit të gjyqtarëve kushtetues. Në këtë mënyrë, vetëm një shkresë përcjellëse e Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi me nr. 553 prot, datë 8 tetor 2019, rrezikonte të përmbyste të gjithë rregullin kushtetues dhe Presidenti të vendosej në pamundësi për të ushtruar kompetencën e tij për të emëruar gjyqtarin e dytë kushtetues, që i takonte, sipas radhës që përcakton Kushtetuta dhe ligji. Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi vetëm me hartimin dhe nënshkrimin e një shkrese administrative në emrin e vet, që përcillte dy lista të kandidatëve për dy vakanca njëherazi, ka shkelur rëndë ligjin, dhe ka provokuar t’i imponojë Presidentit të Republikës “një rregull të ri” me qëllim që ai të shkelte hapur Kushtetutën dhe radhën e emërimit të anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese", thuhet në kallëzim.