Meta kërcënon Bashën: Opozita merr mbi 90 mandate, mos guxo se s'të lë unë t'i shesësh!

19 Prill 2021, 23:20

“Të gjitha sondazhet pa përjashtim janë të blera nga Edi Rama. Opozita ka mbi 90 mandate. Nëse do t'i shesë është punë për të, mos guxo se s'të lë unë. Por ta dijë se do të ngrej popullin edhe përballë saj”.

I veshur me këmishë ngjyrë "mavi", e cila është bashkim i blusë me të kuqen, nga një konferencë e jashtëzakonshme, i shqetësuar, kreu i shtetit Ilir Meta ka bërë një paralajmërim të drejtëpërdrejtë për opozitën, duke thënë se ajo do të marrë sipas tij 90 mandate në zgjedhje dhe askush të mos guxojë ti shesë.

Fitoren e mundshme të Partisë Socialistë, Meta paralajmëroi se nuk do ta njohë, por do ta shohë si shitje të mandateve të opozitës tek Rama, deklaratë kjo që tregon se presidenti e mendon mundësinë që kreu i PD Lulzim Basha edhe mund ta pranojë ftesën e kryeministrit për bashkëpunim pas zgjedhjeve.

Më 25 prill Meta tha se do të jetë në Vlorë në numërimin e votave dhe se do të ketë në vëzhgim komisionarët e opozitës, të cilët sipas tij janë të gatshëm të japin jetën për të mbrojtur votën, ndërsa kërcënoi me një miting si në 2 mars.

Teksa e konsideroi krim publikimin e të dhënave dhe akuzoi qeverinë si përgjegjëse, Meta u bëri thirrjeve organeve të drejtësisë që të hetojnë sipas tij këtë aferë.  Kreu i Shtetit tha se po shantazhohen qytetarët për të votuar qeverinë, ose ata që janë mbeshtetes te PD dhe LSI te mos votojnë.

Meta iu referua sërish letrës së politikanes gjermane, Rezarta Reimann, nënkryetare e Grupit Socialdemokrat në Këshillin Bashkiak të Schuabach në Gjermani, drejtuar kryeministrit Edi Rama, ku ngre disa pyetje lidhur me publikimin e të dhënave të votuesve shqiptarë. Kreu i Shtetit lexoi pyetjet që politikani gjermane i ka drejtuar Ramës, ndërsa ftoi të gjithë shqiptarët që nga dita e sotme deri më 26 prill ta ndjekin në “Facebook”.