Meta kthen 'Kodin Zgjedhor': Kuvendi nuk ka legjitimitet për Reforma Kushtetuese! I drejtohet 'Venecias'

23 Tetor 2020, 17:03 | Përditesimi i fundit: 2020-10-23 17:04:00

TIRANË-  Me argumentin kryesor se deputetët e Kuvendit të Shqipërisë janë ilegjitimë, presidenti Ilir Meta kthen për shqyrtim në Kuvend ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Në mbështetje të këtij vendimi, kreu i shtetit liston disa argumente të tjera. Sipas tij, ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë të njëanshme, pa konsensus; dëmtojnë rëndë klimën politike; cenojnë kushtet e vendosura nga BE; cenojnë parimin kushtetues të sigurisë juridike

Me kërkesën e kreut të PD-së, Ilir Meta e ka dërguar Kodin Zgjedhor për opinion në Komisionin e Venecias.

 “Pikërisht për këto arsye, që konstatojnë faktin se këto ndryshime të shpejta, të padialoguara dhe të pa dakordësuara, vetëm pak muaj para datës së zgjedhjeve, cenojnë jo një, por disa parime dhe të drejta kushtetuese, ashtu si dhe standardet, angazhimet dhe praktikën e mirë zgjedhore europiane; në mungesë të Gjykatës Kushtetuese funksionale, i jam drejtuar me një kërkesë urgjente Komisionit të Venecias për një opinion të specializuar dhe objektiv mbi këtë proces”, shkruhet në dokument. 

Për PS, Ilir Meta ka bërë një thirrje për reflektim. Ai i ka kërkuar që ta lexojnë këtë dokument 81 faqësh, për të cilin thekson se është bërë nga eskpertë të presidencës dhe ndërkombëtarë, dhe të reflektojë.

"Meta ka motivuar, në  mënyrë të qartë është bërë një punim shkencor nga ekspertët e presidentit, por edhe ndërkombëtar për të gjitha standartet që shkel ky kuvend që ka të bëjë me standartet e OSBE, Venecias dhe Kushtetutën tonë, shpresoj që ata të lexojnë të reflektojnë", tha Meta nga Korça. Megjithatë, mazhoranca këtë reformë e quan sukses dhe nga Elbasani, sekretari i përgjithshëm, i PS-së, Taulant Balla tha se i kanë të gjitha mundësitë për ta kaluar në Kuvend. "Më vjen keq që presidenti i Republikës mori kohën për të vonuar procedurat parlamentare. Ne nuk kemi asnjë ditë për të humbur. Kodi zgjedhor është një kod i plotë i cili ka transferuar qasjen dhe i ka dhënë një fuqi më të madhe popullit të zgjedhë jo vetëm kryetarin dhe partinë politike që do por të zgjedhe edhe listën e kandidateve qe do. Çdo vonesë që vjen nga një president mistrec dhe hileqar unë mendoj që i kemi të gjitha mundësitë ta kalojmë", tha Balla.