TIRANE-Presidenti Ilir Meta deklaroi se ditën e hënë do të depozitojë një kallëzim penal kundër kreut të KED-së Ardian Dvorani për dy akuza, shpërdorim detyre dhe përvetësim të titullit apo detyrës. Sipas tij, KED është vetëm për të bërë letrat, që Presidenti, Parlamenti dhe Gjykata e Lartë të kenë në rregull dokumentacionet. Meta u shpreh se KED nuk ka marrë asnjë vendim kolegjial për dërgimin e listave për plotësimin e vakancave njëherazi, por ky veprim është kryer personalisht nga kryetari Dvorani.
Gjithashtu, Meta akuzon se kreu i KED-së Ardian Dvorani ka shpërdoruar detyrën pasi në datë 22 shtator botoi në Fletoren Zyrtare listat e kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese. Sipas Metës kjo është shkelje, pasi ligji përcakton se lista botohet në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë dhe jo në Fletoren Zyrtare. Por kjo sipas Presidentit ishte bërë me qëllim që Arta Vorpsi të vetëzgjidhej sipas mekanizmit zhbllokues, pasi kreu i shtetit nuk e ushtroi të drejtën e tij. Por edhe mekanizmi zhbllokues thotë më tej ai, nuk është zbatuar sikur e parashikon ligji. Të gjithë këto veprime për Ilir Metën, kreu i KED i ka kryer me vetëdije për të diktuar radhën e zgjedhjes për Presidentin prandaj meriton burgun.