Meta: Kosova në NATO, siguri për Ballkanin, Shqipëria promotore e stabilitetit

15 Prill 2019, 21:38

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ishte i “Ftuar Nderi” në Kolegjin e Mbrojtjes së NATO-s në Romë, ndërsa vlerësoi prezencën e Aleancës në Ballkanin Perëndimor, referuar “ekspansionit gjeostrategjik” në rritje të aktorëve të tretë, shtetërorë dhe joshtetërorë. Kreu i shtetit shqiptar vlerësoi edhe përzgjedhjen e Kuçovës si vendndodhje të bazës moderne ajrore të NATO-s si një investim strategjik në dobi të sigurisë sonë kombëtare, rajonit, projekteve dhe qëllimeve afatgjata të Aleancës në Ballkanin Perëndimor dhe më tej dhe shprehje e mirëbesimit reciprok dhe vlerësimit të kontributit të Shqipërisë në gjirin e Aleancës. Meta kërkoi nga aleanca që të bënte pjesë të saj sa më shpejt edhe Kosovën. "Shqipëria mendon se përshpejtimi i hapave të Kosovës dhe vendeve të mbetura të rajonit drejt NATO-s dhe Bashkimit Europian do t’i shërbente jo vetëm sigurisë dhe qëndrueshmërisë afatgjatë të Ballkanit por edhe bashkëpunimit dhe zhvillimit ekonomik dhe rritjes së investimeve të huaja, kryesisht nga vendet e  Aleancës dhe të Bashkimit Europian" tha Meta.

Fjala e plotë e Presidentit Meta
Shqipëria është një partner i besueshëm i NATO-s dhe lider në të gjitha nismat rajonale me qëllim rritjen e masave të besimit mes vendeve të rajonit, forcimin e bashkëpunimit dhe ndarjen e përvojës së saj të anëtarësimit. Shqipëria garanton përmbushjen e përgjegjësive të saj, angazhimin dhe përkushtimin e solidaritetin në dobi të “mbrojtjes dhe sigurisë kolektive” të çdo anëtari të NATO-s dhe të interesave strategjike të Aleancës”.  Shqipëri është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë që i kërkohen, veçanërisht në përmbushjen e rolit të saj të pazëvendësueshëm si faktor stabiliteti në rajon, si promotore e palodhur e bashkëpunimit dhe integrimit rajonal, si mbështetëse e vendosur e politikës së ‘Dyerve të Hapura’ të NATO-s dhe si partnere strategjike e Aleancës përmes një politike të jashtme koherente dhe të besueshme

Gjatë procesit të anëtarësimit të saj në NATO, Shqipëria ka pësuar transformime të thella, ka përballuar sfida të vështira dhe ka pasur  arritje të jashtëzakonshme. Transformimet e brendshme politike, reformat kushtetuese dhe ligjore, reforma në sistemin ekonomik por veçanërisht reforma e thellë në planin e politikës së jashtme, sistemin e sigurisë dhe atë të mbrojtjes përbëjnë arritjet më të spikatura të vendit tim në përmbushjen e detyrimeve për t’u anëtarësuar në NATO. Vendosja e kontrollit civil demokratik mbi strukturat e sigurisë dhe mbrojtjes dhe transformimi i FASH nga një ushtri popullore me koncepte të luftës së ftohtë në një ushtri moderne dhe profesioniste është aspekti më mbresëlënës i këtij procesi.

Dëshiroj të theksoj se jo vetëm gjatë këtij procesi transformues të thellë për shoqërinë shqiptare, por edhe sot, mbështetja konstante e qytetarëve shqiptarë (mbi 90%), ajo e opinionit publik, shoqërisë civile dhe konsensusi i gjerë politik dhe gjithëpërfshirës janë elementët që e veçojnë rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duke treguar kështu jo vetëm orientimin politik por para se gjithash orientimin dhe përkatësinë perëndimore të shqiptarëve.  Angazhimi jonë në NATO nuk i shërben vetëm sigurisë sonë kombëtare dhe zhvillimit të vendit por mbi të gjitha është një përgjegjësi e madhe për t’i shërbyer paqes, stabilitetit dhe sigurisë së rajonit tonë, në Mesdhe dhe më tej.

Pozicioni gjeostrategjik i Shqipërisë është një potencial sfidues në dobi të angazhimit të NATO-s, por njëkohësisht një terren lakmues dhe atraktiv i ambicieve dhe qëllimeve të aktorëve të tjerë shtetërore dhe jo shtetërorë që synojnë dobësimin e Aleancës, përçarjen e Bashkimit Europian dhe minimin e mirëbesimit reciprok që na bashkon në NATO dhe BE.  Ndaj Shqipëria mbështet fuqishëm politikën e ‘Dyerve të Hapura’ për zgjerimin e Aleancës me vendet e rajonit.

Ne jemi të bindur se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO ishte veprimi i duhur dhe i domosdoshëm me impakt rajonal dhe gjeostrategjik. Aleanca provoi fuqinë, forcën dhe vendosmërinë e saj duke sfiduar me sukses përpjekjet serioze që synonin dështimin e këtij procesi.  Jemi të lumtur sot për përfundimin e sagës së gjatë të mosmarrëveshjes mes Greqisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës sepse jam i bindur se anëtarësimi i vendit tonë fqinj në NATO dhe në Bashkimin Europian është një gur tjetër themeli për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Shqipëria mendon se përshpejtimi i hapave të Kosovës dhe vendeve të mbetura të rajonit drejt NATO-s dhe Bashkimit Europian do t’i shërbente jo vetëm sigurisë dhe qëndrueshmërisë afatgjatë të Ballkanit por edhe bashkëpunimit dhe zhvillimit ekonomik dhe rritjes së investimeve të huaja, kryesisht nga vendet e  Aleancës dhe të Bashkimit Europian.   Trashëgimia nga e kaluara e hidhur dhe jo e largët është ende e gjallë në rajon. Paragjykimet, ndarja veçanërisht etnike, vazhdojnë të ngrenë krye dhe të pengojnë procesin e domosdoshëm të pajtimit, bashkëpunimin mes vendeve dhe njerëzve në rajon, sfidë jetike për sigurinë dhe të ardhmen e tij. Vendi im dikur konsumator i sigurisë, sot është kontribuues i stabilitetit dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë.

Shqipëria do të ketë kryesimin e OSBE në 2020 dhe është e përgatitur për këtë sfidë. Ambiciet dhe “ekspansioni gjeostrategjik” në rritje i aktorëve të tretë, shtetërorë dhe joshtetërorë, në Ballkanin Perëndimor dhe më tej, mbeten rrezik potencial dhe sfidues si për vendet e Ballkanit Perëndimor, ashtu edhe vetë Aleancën. Ndaj, me gjithë progresin e sigurisë dhe integrimin në NATO dhe BE, ne ende çmojmë vitale rolin dhe vijimin e prezencës së NATO-s në Kosovë dhe rajon në dobi të paqes dhe vlerave euroatlantike. Axhenda jonë euroatlantike përballet sot edhe me kërcënimin në rritje të radikalizmit dhe terrorizmit fetar, ekstremizmit të dhunshëm, luftëtarëve të huaj dhe pasojave të luftës së tyre, emigracionit të paligjshëm dhe trafikut të qenieve njerëzore dhe narkotikëve që rrezikojnë interesat tona kombëtare dhe interesat e Aleancës.

Sërish rendi aktual botëror duket se ndodhet përballë sfidave të mëdha të ndryshimeve të balancave, përballë shpërthimit të konflikteve të mundshme të reja, atë të krizës së multilateralizmit, lindjes së fuqive të reja ekonomike me ambicie të dukshme për ekspansion gjeopolitik dhe sulmeve kibernetike.Ritmet e shpejta të globalizimit, ndryshimet klimatike, lufta për monopolin e burimeve dhe korridoreve energjetike janë çështje që kanë ngjallur debate intensive në kuadër të marrëdhënieve transatlantike dhe përpiqen t’i sfidojnë ato.Në këto kushte na duhet të forcojmë partneritetin dhe besimin brenda gjirit të Aleancës, të rrisim bashkëpunimin, ndarjen e përvojës dhe informacionin veçanërisht mes agjencive të specializuara dhe strukturave përkatëse të sigurisë.

Shqipëria garanton përmbushjen e përgjegjësive të saj, angazhimin dhe përkushtimin e solidaritetin në dobi të ‘mbrojtjes dhe sigurisë kolektive’ të çdo anëtari të NATO-s dhe të interesave strategjike të Aleancës. Shqipëria ka vënë në dispozicion infrastrukturën e saj në dobi të sigurisë kolektive dhe për operacionet dhe stërvitjet e Aleancës duke u shfaqur si një partner i besueshëm i saj dhe lider në të gjitha nismat rajonale me qëllim rritjen e masave të besimit mes vendeve të rajonit, forcimin e bashkëpunimit dhe ndarjen e përvojës së saj të anëtarësimit.

Në 10 vitet e anëtarësimit të saj Shqipëria mbetet një kontributor me peshë në jetësimin e iniciativave dhe projekteve të SHBA dhe NATO-s, jo vetëm duke kontribuar në ndërtimin e paqes, mirëbesimit reciprok dhe stabilitetit të rajonit. Pas anëtarësimit, Shqipëria i rriti ambiciet dhe detyrimet e kontributeve në kuadër te NATO-s duke merituar në vitin 2012 vlerësimin zyrtar të saj si ‘një ndër 5 vendet model për reformat, buxhetin e mbrojtjes, përmbushjen e detyrimeve dhe kontributeve për NATO-n’ në saje të kontributit me rreth 500 vetë njëherësh  në dispozicion të Aleancës.

Në 10 vitet e anëtarësimit të saj Shqipëria realizoi nga buxheti i mbrojtjes projekte të rëndësishme të modernizimit, si: Vëzhgimi i Hapësirës Detare, Anijet e Patrullimit, Helikopterët, Forcat Speciale, Uniformat e reja, Kursi i Lartë i Sigurisë, Qendra e Studimeve Strategjike, dixhitalizimi i të dhënave të personelit, projekti shembullor i demontimit të municioneve të trashëguara, muzeu dhe imazhi i FA, nënshkrimi i disa marrëveshjeje mirëkuptimi për Forcat Speciale, Inteligjencën, Protokollin e Parisit/SOFA, shkëmbimin e informacionit të klasifikuar, etj. Nga viti 1996, vendi im ka kontribuuar në misionet ndërkombëtare krah për krah vendeve aleate me rreth 8000 burra dhe gra me uniforme, shifër e konsiderueshme për një vend me mundësi modeste dhe me popullsi relativisht të vogël.

Pothuajse të gjithë ushtarakët tanë kanë kontribuuar dhe marrë pjesë në misionet e NATO-s në: Bosnje dhe Hercegovinë, Irak, Afganistan, Çad, Mali dhe Kosovë. Duke kontribuuar aktualisht në operacionet ndërkombëtare të Aleancës dhe të BE-së me 210 ushtarakë, ne renditemi të tretët në përqindje të popullsisë për kontribute në operacione ndërkombëtare. Shqipëria është angazhuar seriozisht në Koalicionin Global për shkatërrimin e Shtetit Islamik, duke kontribuar në mënyrë thelbësore në këtë sfidë tepër të rëndësishme.

Në kuadër të angazhimit të saj në luftën kundër terrorizmit, vendi im ka hedhur hapa konkretë për ngritjen e Qendrës së  Ekselencës për luftën kundër fenomenit të Luftëtarëve Terroristë të Huaj. Përzgjedhja e Kuçovës si vendndodhje e bazës moderne ajrore të NATO-s është një investim strategjik në dobi të sigurisë sonë kombëtare, rajonit, projekteve dhe qëllimeve afatgjata të Aleancës në Ballkanin Perëndimor dhe më tej dhe shprehje e mirëbesimit reciprok dhe vlerësimit të kontributit të Shqipërisë në gjirin e Aleancës.  Çdo angazhim dhe çdo projekt që u shërben qëllimeve strategjike të Aleancës dhe forcimit të rolit të saj në Ballkan do të ketë mbështetjen time për realizimin në kohë dhe me seriozitetin e duhur si detyrim madhor dhe kombëtar.

Duke e konsideruar jo vetëm si përparësi dhe si detyrim e angazhim ndaj Aleancës si President i Republikës do të nxis rritjen e buxhetit të mbrojtjes për vitet në vijim, sepse jam i bindur që në këtë mënyrë ne u përgjigjemi në mënyrë efikase dhe proaktive rreziqeve dhe sfidave të reja të sigurisë. Në 24 mars 1999, ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ishte një mision i jashtëzakonshëm që jo vetëm parandaloi një katastrofë humanitare dhe ndaloi vrasjen dhe spastrimin etnik të shqiptarëve, por mbi të gjitha vendosi paqen dhe kontribuoi për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.

Shpreh sërish mirënjohjen time të thellë ndaj SHBA-ve dhe të gjitha vendeve anëtare, që përfunduan me sukses këtë mision fisnik. “Ne e fituam luftën, por jeni ju ata që duhet të fitoni paqen”, tha Presidenti Klinton gjatë vizitës së tij në Kosovë në nëntor 1999. Shqipëria, të nderuar zonja dhe zotërinj, është e vendosur jo vetëm të ruajë këtë paqe të fituar me aq mund, por mbetet seriozisht e angazhuar edhe në sfidat e përbashkëta gjeostrategjike me të cilat përballet sot Aleanca në rajon dhe më gjerë. Ajo është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë që i kërkohen, veçanërisht në përmbushjen e rolit të saj të pazëvendësueshëm si faktor stabiliteti në rajon, si promotore e palodhur e bashkëpunimit dhe integrimit rajonal, si mbështetëse e vendosur e politikës së “Dyerve të Hapura” të NATO-s dhe si partnere strategjike e Aleancës përmes një politike të jashtme koherente dhe të besueshme.