TIRANË - Dekreti i sotëm i presidentit Ilir Meta për të zgjedhur anëtare në Gjykatën Kushtetuese Marsida Xhaferllarin, teksa Këshilli i Emërimeve në Drejtësi e kishte zgjedhur automatikisht për të njëjtën vakancaë Arta Vorpsin, duket se nuk është një përplasje e re mes kreut të shtetit dhe KED-së. Në një konferencë për mediat në mbrëmje, Presidenti Ilir Meta, i sapokhtyer nga Franca, paraqitir publikisht argumentet e këtij dekreti, ku la të kuptohet se problemet me institucionin e KED-së kanë qenë të hershme, veçse këto shqetësime nuk i ka bërë publike. Me një gjuhë të ashpër ndaj kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, duke i vënë etiketime deri në mafioz, Meta tha se nuk ka asnjë afat kushtetues ndaj presidentit për të përzgjedhur anëtar në mesin e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese, që KED i ka radhitur sipas një pikëzimi. "Ushtar i verbër i partisë", tha Meta për kreun e KED-së, teksa e akuzoi se po bën lojëra personale.Meta i kërkoi kohë KED-së pas zgjedhjes së anëtarit të parë, Besnik Muçit, në mënyrë që radha për anëtarin e dytë t'i kalonte Parlamentit. Por KED duke thënë se kaloi afati ligjor 30 ditor që Presidenti duhej të kishte zgjedhur anëtarin e tyre, zgjodhi automatikisht Arta Vorpsin në Kushtetuese e cila ishte e radhitur e para në sistemin e pikëzimit. Meta tha se afatet ligjore janë të caktuara vetëm për Parlamentin, por jo për Presidentin. Në këtë situatë, presidenti foli për individë të caktuar të mazhorancës që kanë keqpërdorur edhe kreun e një institucioni kolegjial siç Meta quajti KED-në, "sipas fakteve dhe të gjitha provave në mënyrë që presidenti të vihej në këtë pozitë, ose të bënte një veprim që do të anatemohej si shkelje e kushtetutës, të caktonte edhe të parën edhe të tretën menjëherë, dhe të thuhej që nuk ta lejon kushtetuta, ose t'i bëhej një interpretim përmes marrëzirave të tilla". Meta tha se në vazhdimësisë e ka paralajmëruar KED-në për mënyrën se si po e menaxhon procesin, pasi solli lista me emra të paktë, 3 deri në 4 emra të ngjashëm për vende të ndryshme bosh në Kushtetuese. Kreu i shtetit tha se ky është një proces i caktuar dhe i përzgjedhur. " "E kam paralajmëruar KED, që si po e menaxhon procesin ishte e gabuar, se nuk janë të paktë kandidatët që janë skualifikuar duke përdorur standarde të dyfishta", u shpreh Presidenti. Kreu i shtetit tha se duhej ndjekur një radhë që një anëtar të zgjidhej prej tij, një prej Parlamentit, dhe më tej tjetri nga Meta, dhe i dyti sërish nga Kuvendi, për ta çuar në total në 4 numrin e anëtarëve të zgjedhur në këtë fazë. Këtë, Meta tha se e bëri për t'i dhënë mundësi Kuvendit që të ishte brenda afateve ligjore, 30 ditore, deri në zgjedhjen e anëtarit të dytë në mesin e kandidatëve. "Por ata i bënë të dyja njëherazi, kjo është përgjegjësi e tyre", tha Meta Presidenti Ilir Meta tha se parlamenti i e shtyu qëllimisht në kohë vetëm dy ditë para se t'i mbaronte afati, për t'i zgjedhur të dyja vakancat në një seancë plenare.