Meta kthen dekretin për ‘Paketën fiskale’: Dy nenet bien ndesh me kushtetutën

20 Dhjetor 2018, 14:43 | Përditesimi i fundit: 2018-12-20 16:30:30

Kreu i shtetit ktheu në Kuvend ligjin nr. 94/2018 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat” të ndryshuar, me qëllim rishikimin e nenit 9 dhe nenit 11 të këtij ligji, sepse sipas tij, bie ndesh me kushtetutën . Në njoftimin për shtyp të presidencës thuhet se neni 9, i ligjit nr.94/2018, bie në kundërshtim me parimin kushtetues të “barazisë përpara ligjit” dhe krijon pasiguri juridike përsa i takon aplikimit të tij në praktikë dhe është në kundërshtim të hapur me parashikimet e nenit 155 të Kushtetutës, i cili ndalon trajtimin fiskal preferencial me efekt prapaveprues. Gjithashtu ai krijon pabarazi fiskale në raport me individët, apo aksionerët të cilët gjatë gjithë këtyre viteve e kanë shpërndarë dividendin deri në vitin 2017, duke zbatuar një normë tatimi prej 15%, ndërkohë që me nenin 9 të ligjit të miratuar, aksionerët të cilët nuk e kanë shpërndarë dividendin deri në 2017, tashmë do të përfitojnë një lehtësim fiskal duke aplikuar një tatim fitimi prej 8%. Neni 9 krijon paqartësi dhe mundësi abuzivizmi ndaj bizneseve dhe aksionerëve për shkak se nuk përcakton saktësisht normën 8 % apo 15 %, si dhe mënyrën se si do të tatohet dividendi që i përket fitimeve të pashpërndara të viteve 2017 dhe më parë, në rast se subjekti tregtar nuk e respekton apo e tejkalon afatin e parashikuar në këtë nen për pagesën e tatimit mbi dividendin (30 shtator 2019) dhe është në kushtet kur nuk ka marrë një vendim për shpërndarjen e dividendit, për periudhën e diktuar nga ligji.