Meta kthen ligjin ‘për shtetësinë’: Më heq kompetencat, shkel Kushtetutën në disa pika

15 Gusht 2020, 13:51

Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim një tjetër ligj të miratuar një ditë përpara ndryshimeve Kushtetuese nga ligjvënësit në Parlament.

Ligji “Për Shtetësinë” i cili ndodhet në tryezën e Presidentit që prej datës 4 gusht, sipas Metës nuk ka pasur një konsultim të mirëfilltë me institucionet përgjegjëse në trajtimin e kërkesave për dhënien apo lejimin e lënies së shtetësisë shqiptare.

Meta shprehet se ligji me nismë të Ministrisë së Brendshme nuk gjen asnjë reflektim të komenteve të dhëna nga Institucioni i Presidentit në fazën fillestare të hartimit të draftit të këtij ligji, dhe se për miratimin e tij, Kushtetuta kërkon shumicë të cilësuar.

Konkretisht kreu i shtetit kundërshton nenin 8 të ligjit për Shtetësinë që përcakton fitimin e shtetësisë me natyralizim. Sipas ligjit, shtetësia shqiptare fitohet me natyralizim nga i huaji që ka paraqitur kërkesë dhe plotëson kushtet e nevojshme, por në pikën 7 të tij shkruhet se “Dokumentacioni i nevojshëm për fitimin e shtetësisë shqiptare me natyralizim, përcaktohet me udhëzim të ministrit”, sipas Metës duke i hequr kompetencën presidentit të republikës dhe duke ia deleguar Ministrisë së Brendshme.

Kreu i shtetit kundërshton edhe nenet 9, 12 dhe 18 dhe 19 duke thënë se po ashtu shkelin Kushtetutën.