Meta kthen në Kuvend ligjin për ‘Për gjendjen civile’: Fut zgjedhjet në kaos, pasoja ligjore e politike

8 Nëntor 2020, 18:31

Presidenti Ilir Meta kthen në Kuvend ligjin për  ‘Për gjendjen civile’, në lidhje me deklarimin e vendbanimit.

Meta thotw se ndërhyrja në ligjin e gjendjes civile, ka pasoja ligjore dhe politike. Në 9 faqe arsyetim, Meta shton se ndryshimet e bëra në ligj në këtë fazë të procesit zgjedhor, kanë potencialin për të krijuar kaos në hartimin e listave të zgjedhësve, si dhe mund të influencojë dhe cënojë rëndë përfaqësimin parlamentar. Kreu i shtetit argumenton se përmes këtij ndryshimi i hapet mundësia maxhorancës që të transferojë njerëz në ato zona ku e ndjen veten të dobët politikisht.

Një ndryshim i tillë, krijon kaos në hartimin e listave të zgjedhësve. Ndërhyrja e papritur në ligjin bazë të gjendjes civile siç propozohet, duke e vlerësuar ndikimin e qënësishëm që mund të ketë në procesin zjedhor, nuk është në momentin e përshtatshëm dhe do të ketë pasojë ligjore dhe politike", thuhet mes të tjerash në arsyetim.

Arsyet e kthimit të ligjit:

Pra sipas kësaj ndërhyrje, shkelja ose mosrespektimi i dispozitës së përcaktuar në pikën 3, të nenit 15, që dënohej me gjobë, në masën 10 000 lekë, dhe me pezullim të shërbimit deri në vjeljen e gjobës, të cilën e vendos dhe e vjel nëpunësi i gjendjes civile, shfuqizohet.

Është për t`u theksuar se, dispozita që sot pretendohet të shfuqizohet, pra rregullimi ligjor sipas shkronjës “ç”, të pikës 1, të nenit 74, është një rregullim i sjellë si paketë ndër disa rregullime të tjera, nëpërmjet ligjit nr. 134/2016, datë 22.12.2016. Me vendosjen e dispozitës është synuar disiplinimi i shtetasve për deklarimin e vendbanimit dhe/apo vendqëndrimit të tyre, pas përkufizimit të termit dhe specifikës së cilën mbart ky term.

Ndërkohë sot, arsyetimi i ndërmarrjes së kësaj nisme si nga nismëtarët (deputetët propozues) apo dhe nga Komisioni përgjegjës në Kuvendin e Shqipërisë mbështetet në qëllimin për pasjen e të dhënave reale të regjistrimit të shtetasve, e cila do të përmirësohet në kuadër të ndjekjes së një qasje/metodologjie të re liberale, duke mos aplikuar më masa shtrënguese në procedurat që do të zbatohen nga zyrat e gjendjes civile.