Meta kthen paketën anti-shpifje: AMA gjykatë, antikushtetuese, masat të ishin në ligj

12 Janar 2020, 14:33

TIRANE-Presidenti Ilir Meta, ashtu sikur pritej dhe kishte paralajmëruar ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend paketën "anti-shpifje". Kreu i shtetit thotë se ligji i miratuar shkel parimet themelore kushtetuese të një shteti demokratik. "Shkel të drejtën e lirisë së shprehjes, së shtypit dhe të drejtës së informimit". Sipas Ilir Metës, paketa e miratuar është në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese. Gjithashtu ai thekson se "shkel standardet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut".

Por konkretisht cilat janë shqetësimet e Ilir Metës për paketën anti-shpifje që u miratua nga Kuvendi në seancën e fundit të vitit të kaluar? Shqetësimi kryesor i Presidentit lidhet me fuqinë që i jepet AMA-s dhe faktin që gjoba nuk pezullohet pa folur gjykata, por duhet të ekzekutohet. Kreu i shtetit akuzon qeverinë se përmes këtij ligji po tenton që të kapë median. "Në kushtet kur mazhoranca aktuale ka mundur që të monopolizojë thuajse të gjithë pushtetet legjislativ, ekzekutiv, pushtetin vendor dhe po bën të gjitha përpjekjet për të vendosur nën kontroll politik sistemin e drejtësisë, mbajtja e pandikuar dhe larg kontrollit e medias së lirë, nuk është vetëm një interes publik, por një mision në drejtim të së ardhmes së vendit dhe ruajtjes së vet demokracisë. Po kështu jam i detyruar T’ju paralajmëroj se, mosreflektimi nga ana e Kuvendit do të përkeqësonte besueshmërinë e Shqipërisë, si një vend demokratik dhe i shtetit të së drejtës".