Meta kthen për rishqyrtim ligjin për pronat e shtetit: Lejon të ndodhin abuzime të mëdha, thellon konfliktin social

13 Gusht 2020, 14:27

TIRANË- Presidenti i vendit Ilir Meta ka kthyer për shqyrtim në Parlament ligjin për pronat e paluajtshme në bregun e detit. Sipas relacionit të ligjit në fjalë thuhet se nisma është ndërmarrë për të shmangur abuzimet me pronat nga veriu në jug, problematika të mbartuara ndër vite. Ndërsa për presidentin Meta,ky ligj, nuk adreson problematikën e pronave në Shqipëri, thellon edhe më shumë konfliktin social në vend.

Me anë të këtij ligji synohet që hapësira e bregut të detit që është sipërfaqja e tokës përgjatë detit, e cila është pronë publike e patjetërsueshme, të kalojë në pronësi të shtetit. Pra pas futjes në fuqi të ligjit në bregun e detit nuk do të ketë më pronarë përveç shtetit, i cili mund të japë me qira prona, por nuk mund ti shesë ato, pasi janë hapësira të patjetërsueshme.

Për presidentin Meta një hap i tillë është rrezik për pronën publike në fjalë.

 “Në praktikë ky ligj krijon hapësirën që të ndodhin abuzime të mëdha ashtu si deri më tani, ku për shkak të ndërhyrjeve dhe interesave të ndryshme, gjerësia dhe shtrirja e asaj që konsiderohet si “bregu i detit” të pësojë deformime të mëdha dhe jashtë realitetit, duke krijuar rrezik të shtuar për cenimin e pronës publike apo në raste të tjera, kjo pasuri arbitrarisht t’i nënshtrohet shpronësimit për interes publik”, shprehet Meta.

Po ashtu Meta vijon duke thënë se ky ligj bën një trajtim preferencial dhe jo të barabartë të individëve që gëzojnë tituj pronësie në raport me investitorët në këto zona. Shqetësimi tjetër i ngritur ka të bëjë me pronarët e ligjshëm që sipas presidentit rrezikohen nga ligji i cili synon që çdo pronë e ndërtuar në këtë sipërfaqe të marrë statusin pasuri publike e patjetërsueshme.

 Kjo nismë e iniciuar nga qeveria është depozituar në kuvend në korrik të këtij viti dhe është miratuar në po të njëjtin muaj.