TIRANE - Teksa artistë, përfaqësues të shoqërisë civile protestojnë, mbështetur edhe nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, Presidenti Ilir Meta ka bërë një lëvizje politike.
Në një reagim të parë e quajti të turpshme ndërhyrjen e policisë që u stacionua pranë Teatrit me nisjen e protestës, e më pas kreu i shtetit rreth orës 13:05 shkoi në Gjykatën Kushtetuese për të depozituar atje, kërkesën për të shpallur antikushtetues ligjin për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Pas daljes nga Gjykata Kushtetuese Meta tha se ai do të vërë drejtësi mbi ata që ai i quajti rilindasit lokalë. Ashtu si lideri demokrat Lulzim Basha, Meta sulmoi oligarkët duke thënë se duhet t'i jepet fund sundimit të tyre.
"Në radhë të parë dua të theksoj rëndësinë e madhe që ka ky akti im sot i cili është në koherencë të plotë me përpjekjet e mia në raport me qeverinë dhe institucionet vendore të përfshira në këtë proces kriminal të kapjes më flagrante të shtetit, në dhunim të kushtetutës, akteve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare dhe në kundërshtim me ligjin, pasi ligji për teatrin kombëtar është një simbol, kryevepër ku kryhet në harmoni një krim kushtetues, kulturor dhe kombëtar në atq që quhet rregulli i oligarkëve. Unë dua t'i sigurojë të gjithë se kam ardhur sot këtu për të garantuar se Republika e Shqipërisë do të jetë një vend i sundimit të ligjit dhe popullit. Boll me sundimin e oligarkëve. Duhet të ndërpritet ky akt. Do të veprojë drejtësia shqiptare dhe ndërkombëtare ndaj rilindasve lokalë që e kanë lënë edhe vendin pa Gjykatë Kushtetuese. Nuk jemi rastësisht pa gjykatë kushtetuese. Reforma e votuar me 140 vota nuk e linte Shqipërinë pa gjykatë kushtetuese. Pa gjykatë kushtetuese e la Ramaforma. Të jeni në sigurt se drejtësia do të veprojë për të ndëshkuar të gjithë ata që janë përfshirë në këtë krim.
Nuk ka forcë në botë që më ndalon mua si president për të vënë drejtësi mbi rilindasit lokalë dhe ndërkombëtarë të cilët kanë goditur reformën madhore në mënyrë që t;i japin drejtësinë oligarkëveUnë jam i lumtur për procesin e dekorimit që ka filluar ndaj meje. Sot bëj dy vjet që jam betuar në kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Asnjë president më parë nuk ka ardhur këtu sepse nuk ka qenë e nevojshme por unë kam bindjes se drejtësia shqiptare dhe ndërkombëtare do të jenë në veprim pavarësisht të gjithë mafiozllëqeve", tha Meta.