Meta nuk ndalet në 'luftën' e dekreteve, kthen në Kuvend 3 ligje në 24 orë

16 Korrik 2019, 16:55

Presidenti i Republikës Ilir Meta nuk po ndal revanshin e sulmeve ndaj mazhorancës duke kthyer njëri pas tjetrit disa ligje të rëndësishme. Pas atij për blerjen e arit apo për materialet e rezevave të shtetit, mëngjesin e të martës presidenca njofotoi edhe kthimin e dy ligjeve të tjera. I pari është “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve” dhe i dyti ai “Për vetëqeverisjen vendore”. 

Presidenti për kthimin e ligjit për privatizimin e pronave shtetëore projektligji ka për qëllim zgjerimin e konceptit të privatizimit të parashikuar në aktin normativ, që krahas formës së privatizimit me mënyrën e tenderit, të parashikojë edhe formën e privatizimit me metodën e “tjetërsimit” në funksion të disa sipërfaqeve toke shtetërore që preken nga planet e përgjithshme vendore. Tjetërsimi thotë presidenti në argumentet e tij do të bëhet nëpërmjet kontratave të tjetërsimit ku pronësia mbi pasurinë kalon në çastin e lidhjes se kontratës së tjetërsimit të kësaj pasurie. Blerësi apo përfituesi i kësaj pasurie bëhet pronar i ligjshëm i saj që në momentin e nënshkrimit të kontratës, duke fituar të gjitha të drejtat dhe detyrimet që lidhen me qenien e tij si pronar mbi këtë pasuri”. Dhe për këtë ligji autorizon Këshillin e Ministrave, për të përcaktuar kushtet që duhet të plotësojnë kërkuesit e tjetërsimit me kontratë të pronës shtetërore. Ky delegim thotë presidenti është I ndaluar nga ligji I 2001 i cili kërkon që pronat e paluajtshme publike apo pronat e paluajtshme të shtetit tjetërsohen, ose jepen në përdorim sipas mënyrave dhe kufijve të përcaktuar me ligj, dhe jo me vendim të Këshillit të Ministrave. Kjo do të krijonte një konflikt institucional shtetëror thuhet në arguementa. 
 
Në rrjedhim të kësaj, Presidenti ka kthyer edhe ligjin ‘Për vetëqeverisjen vendore’, kryesisht nenet që kanë të bëjnë me tjetërsimin e pronës. Ndryshimet ligjore në nenin 54-55 të ligjit nr. 139/2015 ai i quan të pajustifikuara pasi mënyra e re që propozohet për kuorumin e nevojshëm në vendimmarrjet e Këshillave Bashkiake nuk garanton mbrojtjen e interesit publik në procedurat e tjetërsimit të aseteve publike në pronësi të pushtetit vendor. Presidenti i Republikës, vlerëson se ligj nr. 38/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore””, i duhet kthyer Kuvendit, me qëllim rishikimin e neneve 3 dhe 4 të këtij ligji.