Meta për ndërkombëtarët: U thonë shqiptarëve se 'gomari fluturon'

18 Korrik 2019, 13:03

Kreu i shtetit i drejtoi një mesazh shqiptarëve: më 30 qershor nuk ka pasur zgjedhje. Ai tha se nuk duhet dëgjuar askush që thotë se gara elektorale në vendoret e 30 qershorit ishte e ligjshme. Nuk duhen dëgjuar as ndërkombëtarët, siç ai u shpreh, duke i sulmuar diplomatët e huaj se nuk mund tu thonë shqiptarëve se "gomari fluturon". Presidenti Meta u shpreh se zgjidhja nuk duhet të vijë nga ndërkombëtarët, por se kriza politike mund të marrë zgjidhje vetëm në zyrën e tij presidenciale, dhe për këtë i bëri sërish thirrje për negociata politike Kryeministrit Edi Rama dhe liderit demokrat Lulzim Basha.

"Duhet të kenë të qartë shqiptarët se nuk ka pasur zgjedhje të qytetarëve shqiptarë, zgjedhje shtetërore, zgjedhje kushtetuese, zgjedhje ligjore më 30 qershor. Të thotë çfarë të dojë çdo shqiptarë dhe ndërkombëtar që na thotë se gomari fluturon. Kjo mund të ndodhë në art, në piktura, por në Shqipëri gomari nuk fluturon. Të gjitha këto manovra, përpjekje, manipulime, përfshirë edhe qoka ndërkombëtare, janë kundër standardeve për zgjedhje të lira që janë standard i panegociueshëm për të marrë provimin e vjeshtës. Nuk arrihet çelja e negociatave me qoka ndërkombëtare, vetëm me standarde. Këtë Edi, unë dhe Luli e dimë shumë mirë. Duan ta zgjidhin diku tjetër? Ata e dinë që është një adresë serioze ku mund të shkojnë ta zgjidhin këtë dhe unë i hap garanci për mbështetje", u shpreh Presidenti.

    No videos found.