Meta pret Hotin: Duhet platformë gjithëpërfshirëse për dialogun me Serbinë, heqja e vizave e domosdoshme

3 Korrik 2020, 17:18

Kreu i shtetit Ilir Meta priti në Presidencë ditën e sotme kryeministrin e ri të Kosovës Avdullah Hoti. Zyra e shtypit të Presidentit njofton se Ilir Meta dhe kryeministri Hoti diskutuan rreth intensifikimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona, proceseve të përbashkëta integruese në Bashkimin Europian, si dhe zhvillimeve në rajon.

Presidenti Meta theksoi se Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. “Në këtë kuadër janë të mirëpritura përpjekjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, për rifillimin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Është e rëndësishme që të gjitha forcat politike të Kosovës të jenë të bashkuara rreth një platforme gjithëpërfshirëse në këtë proces”, - tha Presidenti Meta.