Meta rikthen në Kuvend ligjin për Metrologjinë: Ka nivel të lartë anti-kushtetutshmërie!

9 Nëntor 2020, 14:59

Pas ligjit për gjendjen Civile presidenti Ilir Meta, një ditë më pas kthen për rishqyrtim në Kuvend edhe ligjin për Metrologjinë.

Meta thekson se ky ligj ka nivel të lartë antikushtetutshmërie prandaj i është drejtuar me një thirrje SPAK që të hetojë nismën e qeverisë dhe arsyet e autorëve që e kanë shtyrë Kuvendin të shqyrtojë.

Si President i Republikës, i bëj thirrje Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) të nisë menjëherë hetimet për të verifikuar se si është ndërmarrë dhe shqyrtuar nisma nga qeveria dhe cilat kanë qenë arsyet reale dhe autorët që e kanë shtyrë Kuvendin e Shqipërisë të pranojë këtë gjendje të rëndë, duke vendosur përpara përgjegjësisë të gjithë ata që kanë ndihmuar, lehtësuar dhe kanë bërë të mundur që kjo nismë të shohë dritën e miratimit në Kuvend”, thekson presidenti.

Si përfundim ai jep tre arsye kryesore se pse vendosi ta kthejë për rishqyrtim në Kuvend këtë ligj duke i renditur:

1- Sanksionon konkurrencën e pandershme dhe rrezikun e shtimit të praktikave korruptive;

2- Ligjëron ekskluzivitetin e ushtrimit të shërbimeve publike nga subjekte të caktuar privatë duke krijuar vetë ligjvënësi monopole, në cenim të tregut të lirë e konkurrues; dhe

3- Është shembulli se si ligjvënsi nuk ushtron më veprimtarinë dhe vendimmarrjen në mbrojtje të interesit publik, por në mbrojtje të një pakice subjektesh private.

Këtë ligj Kuvendi e ka miratuar me shumicë votash më 15 tetor. Presidenti pretendon se të gjitha këto të meta dhe problematika që sipas tij janë bërë në procesin ligjbërës mbulohen me slogane propagandistike të përdorura për mbushjen e relacioneve dhe shmangien e vëmendjes se përmes këtij ligji të ri, tashmë po realizohet përafrimi i kuadrit ligjor me disa direktiva të sektoriale të BE-së për metrologjinë.