Meta 'rrëzon' Bashën: Vetëm me gjurmueshmëri do të arrijmë të izolojmë shpërndarjen

7 Prill 2020, 13:33 | Përditesimi i fundit: 2020-04-07 15:23:39

SHKODËR - Kreu i shtetit Ilir Meta thotë se zgjidhja për të frenuar përhapjen në komunitet të infektimit me COVID-19 dhe të izolimit të tij, është gjurmueshmëria e rasteve të dyshuara, dhe më tej testimi i kontakteve të dyshuara që vjen si pasojë e hetimit epidemiologjik.

Në një deklaratë për mediat nga qyteti i Shkodrës ku pati një takim me kryetaren e Bashkisë në detyrë, Voltana Ademi dhe strukturat e pushtetit vendos e shëndetësor, Presidenti Ilir Meta qartazi lë të kuptohet se është kundër kërkesës së liderit opozitar Lulzim Basha që kërkon kryerjen e testeve masive tek të gjithë qytetarët.

"Unë besoj se përmes gjurmimit efikas të rasteve të evidentuara dhe përmes testimeve të realizuar për shkak të gjurmueshmërisë do të arrijmë të izolojmë  të gjitha rastet që mos të kemi shpërndarje të mëtejshme. Besoj shumë në bashkëpunimin e të gjithëve. Sa më shumë të bashkëpunojmë aq më shumë do t'i kthehemi normalitetit", theksoi Presidenti i Republikës.

Sipas Bashës, me testet e kryera deri më tani, qeveria po përpiqet të fshehë të vërtetën e rasteve të infektimit që mund të jenë, ndërkohë që autoritetet shëndetësore dhe grupet e ekspertëve të OBSH-së rekomandojmë testimet për COVID-19 vetëm në raste simptomash klinike apo kontakte me të dyshuar që i kanë shfaqur shqetësimet shëndetësore.

Ndërkaq, Meta tha se masat kufizuese të vendosura nga qeveria duhet të zbatohen  nga qytetarët pasi vetëm kështu mund të izolohet sa më shpejt përhapja e infeksionit.

"Kufizimet janë një proces që po e ndjekin shumica e vende pa përjashtim, ne jemi fqinj të Italisë me të cilën kemi shkëmbimet më të mëdha njerëzore dhe ekonomike, në këtë drejtim duhet të jemi të duruar dhe duhet t'i respektojmë kufizimet", u shpreh Meta.