Meta: Shengeni Ballkanik po provokon debate! Serbia të ndalojë fushatat kundër integrimit të Kosovës

22 Dhjetor 2019, 14:15

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, referuar samitit për Shengenin Ballkanit që u zhvillua dje në Tiranë, të cilin Kosova e bojkoti, u shpreh në një intervistë për një televizion boshnjak se iniciativat rajonale janë gjithmonë të mirëpritura, por jo duke provokuar debate të panevojshme, duke u përpjekur për të margjinalizuar dikë ose një vend, apo t’i japësh protagonizëm dikujt tjetër.

"Çdo platformë rajonale bashkëpunimi, që është gjithëpërfshirëse, është e mirëpritur. Kjo duhet të ishte një parakusht për të promovuar dhe konsideruar iniciativa rajonale premtuese dhe të dobishme. Iniciativa që ndihmojnë bashkëpunimin tonë janë gjithmonë të mirëpritura, por jo duke provokuar debate të panevojshme, duke u përpjekur për të margjinalizuar dikë ose një vend, apo t’i japësh protagonizëm dikujt tjetër. Vetëm partneriteti dhe gjithëpërfshirja mund të rrisë besimin mes vendeve, mes njerëzve dhe mund të reduktojë dhe eliminojë të gjitha barrierat, qofshin ato legale, administrative apo burokratike në rajonin tonë" tha ai.

Kreu i shtetit shqiptar i bëri thirrje Serbisë që të ndalojë fushatat kundër integrimit të Kosovës në nismat rajonale e institucionet ndërkombëtare. Kur Kosova vendosi taksën kundër mallrave serbe, Meta tha se Prishtina nuk e pyeti, por shtoi se shpreson që të shqyrtojë sa më shpejt që të jetë e mundur mundësinë e përmirësimit të mëtejshëm të tregtisë dhe marrëdhënieve të përgjithshme, jo vetëm me Bosnjën, por edhe me Serbinë.

"Kur ata (Kosova) vendosën të vinin taksën nuk më pyetën, por unë nuk jam pro shtimit të barrierave në marrëdhëniet midis vendeve në rajon, sepse e ardhmja duhet të jetë bashkëpunim i hapur dhe pa kufij dhe pa pengesa. Ne të gjithë synojmë të bëhemi pjesë e Bashkimit Europian. Ndaj shpresoj që Kosova të shqyrtojë sa më shpejt që të jetë e mundur mundësinë e përmirësimit të mëtejshëm të tregtisë dhe marrëdhënieve të përgjithshme, jo vetëm me Bosnjën, por edhe me Serbinë. Kjo do të ishte shumë e dobishme.