Meta 'shuplakë' Bashës: Sikur të kishe çerekun e 85%, do kishe arritur fitore reale

5 Gusht 2019, 13:12 | Përditesimi: 5 Gusht 2019, 13:12

TIRANË- Presidenti Ilir Meta i ka dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë pretendimeve të kryedemokratit Lulzim Basha dhe pjesës tjetër të opozitës që thotë se me 30 qershor fituan 85% të zgjedhësve që nuk morën pjesë në zgjedhje. Meta thotë se sikur të kishte vetëm 1/4 të 85% do kishte arritur një fitore reale.

Ai thumbon edhe mazhorancës për rezultatin e 30 qershorit duke thënë se shpalli fitore nga zgjedhjet e njëanshme dhe të paligjshme.

Kreu i shtetit shprehet se 'fitorje' të tilla penalizojnë të ardhmen e vendit pasi jo vetëm garanton një disfatë për çeljen e negociatave por cenon edhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë

"Fitoret e thella që gëzojnë liderët dhe pasojat e rënda që penalizojnë Shqipërinë dhe shqiptarët

E kam fjalën për fitoren "e vërtetë" të mazhorancës aktuale, që në zgjedhjet e saj të njëanshme dhe të paligjshme, shpalli fitoren në 100% të bashkive të Shqipërisë, si edhe të këshillave bashkiakë.

Por edhe entuziazmi i liderëve të opozites se ata fituan 85% është mbresëlënës, duke harruar se sikur opozita të ishte regjistruar në kohë para shfuqizimit të 30 qershorit si datë e zgjedhjeve do t'i mjaftonte të kishte për vete, jo më shumë se 1/4 e 85% për të arritur një fitore reale dhe institucionale në shumicën dërrmuese të njësive vendore.

"Fitorje" të tilla penalizojnë rëndë të ardhmen e vendit, pasi jo vetëm garantojnë një disfatë në 18 tetor për çeljen e negociatave në mënyrë te sigurtë, por lenë pa mbrojtje nga të drejtat e tyre të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët jetën e tyre të përditshme e kanë aq të lidhur me shërbimet e pushtetit vendor.

b.ha./Shqiptarja.com