Meta sulmon Erion Veliajn dhe bën apel: Të themelojmë bashkë një media transparente për të përmbysur regjimin

18 Gusht 2020, 15:51

TIRANE - Presidenti Ilir Meta ka ndërmarrë një kauzë të re, që lidhet me median. Kreu i shtetit, teksa ka akuzuar qeverinë  për presion ndaj shtypit,dhe veçanërisht kryetarin e bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, të cilit i referohet pa e përmendur,  u kërkon gazetarëve që "të themelojmë së bashku një media transparente". Ilir Meta ka shkuar më tej duke menduar edhe për Bordin Drejtues, që sipas tij do jetë i përbërë vetëm nga gazetarë kurajozë të cilët janë shantazhuar, kërcënuar dhe lënë pa punë nga regjimi, sikur e cilëson ai qeverinë Rama. Meta ka postuar nje mesazh ne FB duke ripublikuar nje shkrim te gazetes "Koha Jone"ku permendet nje deklarate e shoqates Keshillit Shqiptar i Medias kunder kryetarit te Bashkise dhe ne mbrojtje te Ylli Ndroqit, Beti Njumes dhe Ora News.

"Dua sot të shpreh solidaritetin më të fortë me të gjithë gazetarët që janë në një presion brutal nga të gjitha drejtimet për shkak të tmerrit nga raportimi i të vërtetave të tyre në publik. Tmerri nga fjala e lirë dhe pasqyrimi i së vërtetës është tipari kryesor i regjimeve kriminale që nuk e bazojnë qeverisjen mbi votën e lirë dhe fjalën e lirë, por në mbajtjen të shtypur dhe të frikësuar të popullit të tyre. Asgjë nuk e ndal Ndryshimin! Madje koha e Ndryshimit ka kaluar prej 4 vitesh. Tani ka ardhur Kohë tjetër!

Ju lutem gazetarëve të më njoftojnë që kur të gjithë pronarët e tyre të dorëzohen para presioneve të pushtetit, të themelojmë së bashku një media transparente që ta nisë Kohën e Re me Përmbysjen e këtij regjimi të neveritshëm mediatik që turpëron çdo njeri me minimum dinjiteti.

Mos u dorëzoni para presioneve të pushtetit dhe pronarëve! Kujtoni poezinë e Havzi Nelës dhe do i qëndroni misionit tuaj fisnik në shërbim të të vërtetave dhe popullit shqiptar që meriton të rimarrë në dorë fatet e Tij. Çdo shqiptar që do një media në shërbim të së vërtetës do jetë aksioner! Dhe Bordi Drejtues do jetë i përbërë vetëm nga gazetarë kurajozë të cilët janë shantazhuar, kërcënuar dhe lënë pa punë nga regjimi" shkruan Meta.