Meta sulmon gazetarin dhe botuesin e Shqiptarja.com që publikuan skandalin me nënshtetësitë! Rama: Çfarë katandie!

25 Tetor 2020, 16:25

TIRANË- Përballë sulmeve të presidentit Ilir Meta ndaj medias Shqiptarja.com sepse zbuloi skandalin me nënshtetësitë, duke përmendur me emër dhe mbiemër pronarët e saj, Carlo Bollino dhe bashkëshortes Alba Malltezi, politika nuk ka heshtur.

I pari ka qenë kryeministri Edi Rama, i cili reagimin e tij, e quan si skandaloz sulmin e Metës. "I vetmi faj i Alba Malltezit dhe Carlo Bollinos është se i shërbejnë publikut me kurajon e me profesionalizmin e tyre dhe Ilir Meta është i fundit shqiptar në planet që mund t'i kërkojë hesap kujtdoqoftë, jo më Albës e Carlos, për si i sigurojnë të ardhurat e tyre!Çfarë katandie", shkruan ndër të tjera Rama.

eagim ka pasur edhe kryebashkiaku Erion Veliaj. “Çudira Presidenciale, mbron gjobë-mediat që ngrihen me trafikun e drogës dhe sulmon troç-mediat që hetojnë trafikun e pasaportave", e nis reagimin e tij Veliaj.

Shkrimeve të publikuara nga skandali me nënshtetësitë, presidenti Ilir Meta, në pamundësi të një argumenti sepse ka shkelur në flagrancë ligji, iu përgjigj me akuza në adresë personale të botuesit Carlo Bollino, bashkëshortes së tij, Alba Malltezi dhe gazetarit Adriatik Doçi. Dje Meta i drejtoi Bollinos 10 pyetje me të cilat aludon se gazetari dhe familja e tij kanë krijuar shoqëri offshore, ose shkelin ligjet e vendit,  duke e thirrur Bollinon “malavita”, etiketim i kopjuar nga ish-presidenti Sali Berisha, i cili po e përdor prej kohësh për të kërcënuar publikisht Bollinon. Ky i fundit, në një reagim të shkurtër tha se një veprim i tillë i Metës është tregues se ka tradhtuar rolin e tij si kreu i shtetit.  “Duke sulmuar gazetarët Meta tradhton rolin e tij, mandatin e tij dhe vetë Kushtetutën të cilën është betuar se do ta respektojë”, komentoi Bollino.