Meta 'zbret' nga Presidenti dhe 'vishet' socialist! Fushatë kundër Ramës në prag të Asamblesë: Ta përzemë së bashku edhe nga PS! Kryeministri: Shkallimet e tua sekëlldisin të gjallët dhe ata që dekoron

9 Tetor 2020, 14:40 | Përditesimi i fundit: 2020-10-09 23:17:35

Është zhveshur nga roli i presidentit. Ilir Meta është rikthyer pas në kohë, si një nga themeluesit e Partisë Socialiste, dhe përmes një fushate kundër Edi Ramës, në prag të Asamblesë, kërkon të marrë drejtimin e partisë. Të dashur shoqe dhe shokë, i drejtohet Meta socialistëve me gjuhën e tyre, duke kërkuar haptazi reflektimin e të majtëve deri në largimin e Ramës nga drejtimi i PS-së. Unë hyra në Partinë Socialiste, atëherë kur nuk shkonte asnjë i ri dhe kur Edi Rama hidhte baltë të zezë mbi socialistët dhe Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Është ky individ, të cilin PS e mori nga refugjat dhe e bëri ministër, kryetar bashkie dhe kryeministër, i cili sot ka marrë peng këtë parti dhe po e keqpërdor stemën e PS-së për të bllokuar integrimin e Shqipërisë. Ju e dini shumë më mirë se unë, se si ky njeri i papërgjegjshëm, përjashtoi nga kjo parti profesorët dhe intelektualët më të spikatur të vendit, për t’i zëvendësuar ata me trafikantë dhe kriminelë, të cilët ju skuqin sot nga turpi. Nuk do t’i ndahem derisa ta përzemë së bashku edhe nga Partia Socialiste", shkruan Meta. Akuzave të kreut të qeverisë se është takuar në fshehtësi me kriminelë, subjekte të Operacionit Forca e Ligjit, Presidenti Ilir Meta i vë ultimatum për t'i faktuar gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste, në të kundërt e kërcënon se do të nxjerrë ai lidhjet e kryeministrit me krimin . "Ky njeri pa Atdhe, pa nder, pa vlera më akuzon sot se kam takuar skutave subjekte të OFL-së. I kërkoj publikisht të bëjë publik emrin, skutën dhe orën kur e kam takuar këtë personazh të botës së krimit dhe unë do të jap menjëherë dorëheqjen. Përndryshe, nëse nuk e bën këtë gjatë punimeve të Asamblesë së Partisë Socialiste, jam i detyruar të merrem çdo ditë me të dhe t’u faktoj shqiptarëve lidhjet e tij të tmerrshme me botën e krimit, dëmet ndaj çështjes kombëtare, dhe nuk do t’i ndahem derisa ta përzemë së bashku edhe nga Partia Socialiste. Çdo ditë do e ftoj në debat televiziv, në çdo studio që do zgjedhë ai, dhe me çdo gazetar që preferon ai. Në pritje të reflektimit! Të dashur shoqe dhe shokë socialistë, Ju uroj suksese në punimet e sotme të Asamblesë së PS. I juaji si gjithmonë, Me korrektesë dhe mbajtje fjale Ilir Meta"