Micotaqis sfidon Macron: Mos e pengoni Shqipërinë, edhe ne mbase s’ishim gati në 1979

4 Dhjetor 2019, 13:07

Kryeministri grek Kiriakos Micotaqis ka sfiduar presidentin francez Emmanuel Macron në lidhje me përpjekjen e këtij të fundit për të bllokuar zgjerimin e BE.

Në intervistën e dhënë për 'Financial Times' kreu i qeverisë greke i kujtoi shefit të Elizesë se presidenca franceze dikur u tregua e guximshme për çeljen e negociatave të Greqisë pasi atë kohë kishte rëndësi gjeostrategjike.

Duke marrë shkas nga historia e anëtarësimit në BE të vendit të tij, Micotaqis i bëri apel Presidentit Macron të ndjekë gjurmët e paraardhësve të tij.

Për 'Financial Times', Kryeministri grek tha se: Nëse shikojmë kontekstin e madh gjeopolitik, është shumë e qartë se rruga europiane duhet të mbahet e hapur për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, me kusht që të plotësojnë kërkesat. Ky nuk është një proces automatik, përndryshe kjo zbrazëti do të mbushet. Shpresoj që ky gabim do të korrigjohet. Unë jam i shqetësuar. Kjo është arsyeja pse unë mendoj se vendimi i marrë në Këshillin Evropian duhet të rishikohet në vitin 2020.

Macron prej kohësh kërkon një reformim të vetë BE-së dhe rregullave se si ajo do të zgjerohet më të ardhmen. Franca ishte një ndër vendet që më 18 tetor bllokoi procesin e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me arsyetimin se fillimisht Unioni duhet të vetëreformohet dhe të mos shkaktojë më dështime si BREX-it apo probleme të tjera të brendshme.