Milan rikthehet te fitoret, në fushë edhe Ibra! Real ngec kundër Osassuna-s, Barcelona 'poker'

10 Janar 2021, 11:37

Pak ditë pas humbjes me Juventusin Milan është kthyer te fitoret duke mposhtur 2-0 Torino-n për llogari të javës së 16 të Seria A. Në San Siro ‘djallit’ iu deshën 25 minuta për të gjetur rrugën e rrjetës me Leao-n, ndërsa pak pak çaste më pas do të dyfishonte Kessie me penallti.

Pjesa e dyta ishte më shumë menaxhim, ndërsa vlen për t’u theksuar se pas një muaji te Milan u rikthye Ibrahimovic. Salaq Pioli kishte të gatshëm edhe Calhanoglu-n, por kundër Torinos humbi për shkak dëmtimi Tonali-n dhe Diaz.

Ndërkohë në La Liga Real Madrid është ndalur në një barazim pa gola në transfertën e Osasuna-s. Një hap i gabuar që mund të kushtojë shumë në fund, ndërsa për zhvillimin e ndeshjes pati kritika nga Zidan, i cili tha se ajo duhet të ishte anuluar për shkak të dëborës që kishte mbuluar fushën pak minuta para se të niste sfida.

Gjithsesi këto probleme nuk u diskutuan në Granada, atje ku Barcelona fitoi bindshëm 0-4. Për katalanasit fillimisht zhbllokoi Griezman në minutën e 12, ndërsa pjesa e parë do të rezervonte edhe një ‘dopietë’ të Messi-t. Për të vulosur shifrat përfundimtare mendoi sërish Griezman.

Në Gjermani supersfida e javës në Bundesligë mes Leipzig dhe Dortmund është mbyllur me shifrat 1-3. Kjo ishte një mundësi shumë e mirë për Leipzig për të marrë kreun e kampionatit në rast fitoreje, por Dortmund bëri skuadrën e madhe falë golit të Sancho-s dhe ‘dopietës’ së Halaand.