MILIONA EURO TE ARDHURA NE SHQIPERI NGA KOMPANIA SERBE OFF-SHORE DHE TERHEQUR NGA SHOQJA E ARGITES

30 Mars 2021, 13:52

Fondet që kalojnë në llogarinë personale të Damir Fazlliçit, nga e cila Flutura Kola tërheq 2.195.000 euro, siç tregojnë këto dokumente bankare, vijnë të gjitha nga 2 shoqëri off shore me seli në Qipro: transferta e parë bëhet me 2 shkurt 2007 nga shoqëria Pluto International, që derdh 1.099.975 euro. Në korrik 2007 e njëjta shoqëri derdh 99.925 euro dhe në dhjetor derdh 299.925 euro. Në total 1.500.000 euro që Flutura Kola i tërheq menjëherë cash sapo banka sinjalizon mbërritjen e atyre parave në llogarinë e Fazlliçit.    

Mes 28 dhe 31 gushtit 2007 mbërrijnë dy transferta të tjera për një total prej 950.000 euro, këtë herë të derdhura nga shoqëria Irongold services Limited edhe kjo rezidente në një parajsë fiskale, dhe edhe këto euro tërhiqen menjëherë nga Flutura Kola.  

Kompania Pluto International dhe Irongold services janë pjesë e një serie kompanish guacka mbrapa të cilave fshihet afaristi serbo-malazez Vojin Lazareviç emri i të cilit është i lidhur me shumë afera të errëta të vendit ballkanas. Pozicioni i Lazareviç si ortak i Pluto International zbulohet nga ky dokument rus ku listohen aksionistët e bankës Euroaksi që Sllobodan Milloshevic hapi në 1994 në Moskë për të ruajtur sasitë e mëdha të parave me qëllimin për t’i shpëtuar nga embargo ndërkombëtare.

Ndërsa ortake e Irongold services rezulton kompania qipriote Altaria research që ka zyrtarisht si pronare dy kompani të tjera guacka qipriote, Avomar Limited dhe Amerito Limited, të dyja të përmendura në dokumentet e Panama Papers si kompani të dyshimta.

 Është pikërisht Altaria research një tjetër kompania pas së cilës fshihet Vojin Lazareviç që manovron shumë afera në Shqipëri duke përdorur Damir Fazliç, Argita Berishën dhe ortaken e saj Flutura Kola.

Në intervistën e vetme dhënë një televizioni shqiptar në tetor 2008, Fazliç deklaroi se shoqëria Altaria është e tija.