Miliona njerëz i japin lamtumirën në Teheran gjeneralit të vrarë, lideri suprem i Iranit: SHBA-të do të përballen me një Vietnam të dytë

6 Janar 2020, 13:41

Një turmë oqeanike, e cila pushtoi të gjitha sheshet kryesore të Teheranit, i dha lamtumirën e fundit gjeneralit të Forcave Quds, Qassem Soleimani, i vrarë të premten e kaluar në një sulm amerikan në Bagdad.

Mbi trupin e Soleimanit, lideri Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, u lut mes lotësh dhe premtoi se SHBA do të përballen me një Vietnam të dytë.

Ceremonia e varrimit, i cili filloi nga universiteti i Teheranit u transmetua drejtpërdrejt në televizionin shtetëror i cili, në zi, foli për miliona njerëz që dolën në rrugë për të bërë homazhe për njeriun që quhet "dëshmori i dashur" dhe për të kërkuar hakmarrje duke hedhur parulla kundër Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe Izraelit.

Funerali i Soleimanit, i cili filloi në Irak dhe kaloi nëpër disa qytete, do të përfundojë me varrosjen e gjeneralit në qytetin e tij të lindjes, Kerman. Gjatë ceremonisë në Teheran, flamujve amerikanë dhe izraelitë iu vunë zjarri dhe u shfaq imazhi i Presidentit Amerikan Donald Trump me një litar rreth qafës.

Manifestuesit kanë bërë thirrje që çdo iranian të jepte një dollar për të mbledhur një dhuratë prej 80 milion dollarësh për tja dhënë kujtdo që do të dorëzojë kokën e "burrit të çmendur me flokë të verdhë", duke aluduar për Presidentin e Shteteve të Bashkuara Donald Trump, i cili urdhëroi vrasjen e gjeneralit.