Militantët e PD-së bllokojnë një makinë në Dibër, Mziu: Do të operojmë edhe fizikisht ndaj tyre

22 Prill 2021, 22:34 | Përditesimi i fundit: 2021-04-22 22:34:58

Një tjetër rast pengmarrje nga strukturat e PD-së është shënuar mesditën e sotme në Maqellarë të Dibrës. Kandidati i PD, Luan Haka dhe militantë kanë bllokuar dy qytetarë që lëviznin me automjetin e tyre me pretendimin se po shpërndanin para në këmbim të votave.

Grupi i PD ka mbajtur për afro një orë të bllokuar automjetin derisa ka mbërritur Policia e Dibrës dhe prokurorja e gatshme, Xhoana Mehmetaj.

Policia mësohet se ka sekuestruar këtë automjet, por ende nuk dihet se çfarë është gjetur brenda edhe pse drejtuesi politik i PD në Dibër, Xhelal Mziu pretendon kishte karta identiteti dhe fotokopje të fletëve të votimit me emrin e kandidatin të PS, së Melaim Damzi.

Kryesuesi i listës në Dibër, Xhelal Mziu tha se strukturat e PD-së do jenë prezent kudo dhe se PD do të operojë edhe fizikisht ndaj tyre.

‘Kishte kartëmonedha të papërdorura, kishte 5 mln lekë të vjetra dhe kishte një listë, një numër të konsiderueshëm fletësh të mbushura me emra të kryefamiljarëve që janë me PD-në që do tu jepeshin lekë për të blerë votën. Kishte edhe fletëpalosje me emrin e kandidatit për deputet, Melaim Damzi. Ishte kompletuar me të gjitha materialet e nevojshme, se kujt do t’ja jepnin votën. Ishte prokuroria që bëri këqyrjen e mjetit dhe këto ishin konstatimet që u gjetën. Tani dihet se kush janë mjetet që shpërndajnë paratë, do të jemi prezent kudo në rrethin e Dibrës dhe do të bëjmë bllokimin e mjeteve. Nuk do të mbyllet me kaq, anëtarë dhe simpatizantë të PD-së do të operojnë edhe fizikisht ndaj tyre. Kjo është vazhdimi i asaj që kanë bërë në 2017.’- tha Mziu.