Cakaj: Reforma zgjedhore jo kusht për integrimin, si po ecin marrëdhëniet me Greqinë dhe skeptikët

17 Shtator 2019, 12:57 | Përditesimi i fundit: 2019-09-17 16:50:32

TIRANE - Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ishte i pranishëm këtë të martë në një seancë dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Integrimit ku ka folur në lidhje me procesin “Screening”. Sipas tij, kushtet e vendosura ndaj vendit tonë janë zbatuar dhe se Shqipëria është e gatshme të nisë procesin e negociimit.

Ministri shtoi se këtë vit është me rëndësi të angazhohet mbarë arsenali politik dhe diplomatik i vendit, me qëllim çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë. "Komisioni Evropian vlerëson largimin e 88 gjyqtarëve dhe prokurorëve nga vettingu. Vitin e kaluar vendimi i Këshillit është diktuar nga klima elektorale. Këtë vit është esenciale për Shqipërinë të mundësojë që rekomandimet e këshillit të shndërrohen në vullnet politik", - tha Cakaj.

Një arritje tjetër sipas tij, është ngritja e trupave të reja në drejtësi dhe për këtë, Komisioni ka vlerësuar zhvillimet e dhjetorit 2018, përkatësisht ngritjen e KLP, KLD dhe KED, gjë që ka hapur shtegun për vendosjen e SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimeve brenda afateve të parapara ligjore.

Cakaj u pyet edhe në lidhje me deklaratat e kryeministrit grek, Mitsotakis në lidhje me çështjen e minoritetit. Duke mos preferuar që të jap komente mbi këtë deklaratë, ministri në detyrë theksoi çështja e minoritetit në Shqipëri është e qartë dhe se qeveria shqiptare ka nisur kontaktet me qeverinë e re greke me qëllim heqjen e barrierave të integrimit. 

“Me qeverinë e mëparshme greke kemi pasur proces aktiv komunikimi e nuk ka pasur barriera për integrimit. Dhe me qeverinë aktuale jemi në kontakte, por Shqipëria është ne pozicionin që duhet të marrë mbështetje politike për të pasur një vendim në tetor. Nuk mund të komentoj mbi motivet apo llogarite e çfarëdo lideri. Situata e minoritetit grek në vend është publike dhe e shumë e qartë”, tha Cakaj.