Ministrat Matoshi dhe Klosi flasin për incidentin me delegacionin serb te Konferenca e Klimës në Tiranë

5 Prill 2019, 12:06 | Përditesimi i fundit: 2019-04-05 16:29:57

Shqipëria mikpriti këtë të premte, Konferencën mbi Klimën në Ballkanin Perëndimor, nën organizimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Si pjesë e Ballkanit Perëndimor, edhe Kosova ishte e ftuar në këtë konferencë, por në nisje të saj është shënuar një incident. Delegacioni i Serbisë, i kryesuar nga ministri serb i Mjedisit, nuk ka pranuar që Kosova të jetë në këtë tryeze, me përfaqësim nga vetë ministri i Mjedisit Fatmir Matoshi. Kosova nuk është pranuar ende me të drejta të plota në OKB dhe mund të marrë pjesë në tryeza të saj vetëm me përfaqësues nën siglën e UNMIK-ut, misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Por duke dituar këtë fakt, përse ministri kosovar i mjedisit ndodhej në Konferencën për Klimën?

Ministri i Mjedisit Blendi Klosi, tha se Shqipëria është vend mikpritës i Konferencës dy ditore për Klimën në Ballkanin Perëndimor të organizuar nga OKB. Ministrit të Kosovës Fatmir Matoshi, ftesa për të marrë pjesë në konferencë, i është bërë nga homologu shqiptar. Matoshi ka mbërritur prej ditësh së djeshme në Tiranë, dhe siç tregoi ai, një natë më parë kishin pasur takim edhe me ministrin serb të Mjedisit dhe se gjatë një darke me ministrat edhe të Malit të ZI, Maqedonisë dhe Çekisë, ishte rënë dakordësi për prezencën e ministrit të Kosovës në Konferencën për Klimën.

Por sot, para nisjes së Konferencës, kanë qenë rreth dy orë debate - tregoi Klosi, - për faktin nëse duhej apo jo prezenca e ministrit të Kosovës në Konferencë. Përfundimisht në tryezë, u pranua vetëm delegacioni i Kosovës, pa praninë e ministrit, ashtu siç ka përcaktuar OKB-ja.

Bashkë me ministrin e Kosovës, jashtë tryezës doli edhe ministri shqiptar i mjedisit Blendi Klosi, të cilët në një prononcim për gazetarët, sqaruan atë se çka ndodhi.