Ministri i Jashtëm italian telefonata me Ramën e Bashën: 'Zgjedhorja' të miratohet para pushimeve

1 Korrik 2020, 20:52 | Përditesimi i fundit: 2020-07-01 20:52:42

"Reforma zgjedhore të miratohet para pushimeve verore". Kjo është kërkesa që ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio i ka bërë kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD, Lulzim Basha gjatë bisedave telefonike të zhvilluara gjatë ditës së stome. Gjatë të dy bisedave telefonike ministri italian ka shprehur vlerësimin e tij për marrëveshjen e arritur deri tani nga forcat politike për reformën zgjedhore si dhe ftoi të dy liderët t’i përmbahen kësaj marrëveshjeje për miratimin e ligjit në parlament përpara pushimeve verore. “Çështjet që ende duhen diskutuar janë të rëndësishme, por po kaq e rëndësishme është ruajtja e një fryme konstruktive si dhe të qenit të hapur për dialog. Miratimi i një ligji të ri zgjedhor konfirmon faktin se të dy palët mund të punojnë së bashku për arritjen e objektivave të përbashkëta”, është shprehur Di Maio.Ministri Di Maio, gjatë bisedës me Kryeministrin shqiptar nënvizoi gjithashtu rëndësinë për të vijuar me procesin e reformave, të cilat, sipas ministrit duhet të jenë të përbashkëta dhe të kenë jetëgjatësi parë dhe nën këndvështrimin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian” "Për Italinë mbetet një çështje kyçe puna për reformën në drejtësi, e cila duhet të realizohet plotësisht sa më shpejt. Realizimi i plotë i saj brenda një kohe të shkurtër është me rëndësi edhe për përmirësimin pasi do të ketë një impakt edhe në klimën e biznesit në Shqipëri", është shprehur ministri italian. Ministri e përgëzoi gjithashtu edhe për mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian “çka dëshmon për seriozitetin dhe vendosmërinë e palës shqiptare në rrugën e përafrimit drejt Evropës. Italia i ofron Shqipërisë mbështetjen e saj të plotë në rrugëtimin e saj drejt BE-së”, ka thënë ministri. Ministri Di Maio nuk ngurroi gjithashtu të kujtojë edhe personelin mjekësor që mbërriti nga Shqipëria gjatë krizës së pandemisë si dhe shprehu dëshirën për t’a falenderuar publikisht gjatë vizitës së tij të ardhshme në Tiranë që mendon ta kryejë pas pushimeve verore.

    No videos found.