Ministria nis verifikimet për firmën gurore në Postribë pas protestave/ Kompania: Kam leje 25-vjeçare! Banorët: Po na shkatërrohet jeta

13 Janar 2020, 18:45

SHKODËR- Një grup përfaqësuesish nga qeveria kanë mbërritur në fshatin Rrasek të Postribës për të verifikuar situatën në terren lidhur me aktivitetin që kryen firma gurore ndaj së cilës banorët e zonës protestuan dy ditë parë. Bashkë me to ka mbërritur edhe ambjentalisti Sazan Guri në mbështetje të banorëve .

Koordinatorja e bashkëqeverisjes Mandeta Minxhozi u shpreh se ministria e Mjedisit e cila ka dhënë lejen përkatëse do të kryejë edhe një herë verifikimin e kontratës së firmës për të parë nëse i ka zbatuar apo jo pikat e lejes së shfrytëzimit.

Ka reaguar me shkresë zyrtare ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës me shkresë zyrtare e cila ka kërkuar verifikime në terren për ankesën e banorëve. Ku po ndiqet me përparësi dhe nga koordinatorët e bashkëqeverisjes. Këtu ka një leje minerare për subjektin privat, kur është dhënë leja nga Ministria e Mjedisit duhet të përmbushen disa kushte dhe do shihet nëse janë respektuar. Nuk është e vërtetë që nuk është reaguar, pasi ne ditën e premte kemi bërë një takim institucional ku kanë qenë dhe banorët e Postribës”, tha Minxhozi.

Ndërsa Mehmet Hasalami, drejtor i Minierave u shpreh se ankesat e banorëve do të merren parasysh

“Nuk jemi për të bërë hata, jemi për ta vlerësuar realisht, këtu do vijë një përfaqësi për të parë problemet dhe çështjet. Të gjitha strukturat janë këtu dhe do ju japim vlerësimin përfundimtar”, tha Mehmet Hasalami.

Ambientalisti Sazan Guri i cili u njoh nga afër me katastrofën mjedisore kërkoi që Ministria e Mjedisit të rishikojë edhe një herë lejen e shfrytëzimit, sipas të cilit kjo gurore po shkatërron jetën e banorëve.

“Është e rrallë, kjo zonë është kurative, këto janë spitale shëndetësore natyrore për gjithë Europën. Dhe shikoni tani ta kthesh në miniera, me zhurma, me ndotje uji, me naftë dhe shikoni sesi kanali bujqësor është i bllokuar”, tha Sazan Guri

Ndërkohë gjatë kësaj të hënë ka reaguar edhe administratori i kompanisë ‘NGA Group Shpk  Aleksandër Shytani, ’bashkëpunëtor me firmën “Babasi” që ka guroren ka thënë se kompania ka leje shfrytëzimi 25 vjeçare si dhe sipas tij punimet nuk ndikojnë në ujin e pijshëm.

Kompania ka dokumentacionin e nevojshëm për shfrytëzim me leje 25 vjeçare dhe ne shfrytëzojmë pa përdorur lëndë plasëse. Aty punohet me mjete të modernizuara. Nuk shkaktojnë ndotje dhe zhurmë. Vendburimi i ujit ndodhet 2 km larg nga ku ushtrohet aktiviteti”, tha Aleksandër Shytani

Dy ditë më parë banorët e Postribës zhvilluan një protestë pasi sipas tyre firma gurore po dëmton ujin e pijshëm për gjithë zonën dhe të gjitha burimet natyrore.