Miratohen ndryshimet e Reformës në Drejtësi, votohen 10 projektligjet! Kalon me 95 vota pro akti normativ për marrjen e vaksinave

23 Mars 2021, 17:08

Kuvendi ka miratuar ndryshimet e Reformës në Drejtësi, ku janë votuar pro për 10 projektligjet e reja. 

Nga ndryshimet në Reformën në Drejtësi pritet që korrupsioni nën vlerën 50 mijë lekë s’do të jetë më kompetencë e prokurorisë së posaçme kundër krimit e korrupsionit, njohur si SPAK.

Po ashtu parashikohet që të futet dhe gjykimi me një gjyqtar të vetëm në apel nga tre që është aktualisht trupa. Në ndryshimet e reja të Reformës në Drejtësi, flitet edhe për moshën e daljes në pension të magjistratëve, përfshi prokuror e gjyqtar të cilët aktualisht e kanë në 67 vjeç, por me vullnetin e tyre ata mund të shërbejnë edhe tre vite pas moshës duke dalë në 70 vjeç.

Ndalur tek Gjykata e Lartë e cila ka numrin më të lartë të çështjeve të prapambetura ndër vite do të hiqet detyrimi për seanca publike dhe të mbahen seanca në dhomë këshillimi. Sipas këtij ligji Gjykata e Lartë do të ketë mundësi për të asimiluar një numër të madh çështjes të mbetura në arkivat e kësaj gjykate.

Ndalur tek pagesat e magjistratëve me ndryshimet e reja do të propozohet rritje deri në 80 % të pagës bruto nga 60 % të cilën ata marrin aktualisht.

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj tha se këto ligje do të synojnë që të rrisin efektshmërisë e sistemit të Drejtësisë. Deputeti Fatmir Xhafaj nga foltorja e Kuvendit tha se këto ligje do të sjellin rritjen e eficencës në sistemin e Drejtësisë.

Po ashtu është miratuar me 95 vota pro Akti Normativ i cili autorizon ministrin e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin për zhvillimin e negociatave me prodhuesit, që distribuojnë vaksina anticovid, për të siguruar këto vaksina, të cilat jane të certifikuara. 

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastrirliu tha se është e nevojshme që të diversifikojmë portofolin e vaksinave dhe të nisë vaksinimi masiv.