Miratohet akti normativ II për buxhetin e 2019/ Financat: 2.6 mld lekë për bonus qiraje!

23 Janar 2020, 15:52

Komisioni i Ekonomisë ka miratuar aktin dytë normativ për buxhetin e vitit 2019, që kishte dy objektiva kryesore, dhënien e shpërblimit për pensionistët dhe kategoritë e tjera që trajtohen me pension si dhe përballimi i dëmeve të para të tërmetit. Sipas Ministrisë së Financave nuk janë prekur parametrat bazë të buxhetit por janë rialokuar fondet, konkretisht 1.9 miliardë lekë bonusi i shpërblimit të fundvitit, 70 milionë lekë për Ministrinë e Shëndetësisë për bonusin e bebeve, 300 milionë për Ministrinë e Shëndetësisë për pagesën e invaliditetit dhe 235 milionë ju shtuan fondit rezervë për dëmet e tërmetit të 26 nëntorit.

Sa i takon përballimit të pasojave të para të tërmetit vetëm në muajin dhjetor janë harxhuar mbi 270 milionë lekë për emergjencat e para siç ishte strehimi në hotele. Drejtoresha e Buxhetit Mimoza Dhëmbi tha se deri më tani kërkesat për bonus qiraje kanë arritur në 2.6 miliardë lekë nga 1 miliardë që është parashikuar në buxhetin e këtij viti.