Miratohet bonusi i qirasë për 606 familje të tjera, Veliaj: Zgjidhja, shtëpitë e reja

16 Dhjetor 2019, 18:23

TIRANË - Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi mbrëmjen e sotme listën e radhës për bonusin e qirasë për 606 familje të tjera, shtëpitë e të cilave janë bërë të pabanueshme për shkak të tërmeti‬. Pas përgatitjes së dosjeve në një kohë rekord, Bashkia e Tiranës ka bërë të mundur kalimin e listës së familjeve të prekura nga tërmeti i fundit të nëntorit që kanë aplikuar për bonos qiraje me kushtet e tregut, duke e çuar në 1794 numrin total të familjeve që përfitojnë këtë mbështetje financiare për përballimin e kësaj situate. Masa e bonusit të qirasë është përcaktuar në bazë të njësive të banimit.“Më vjen mirë që deri sot kemi dhënë 1188 bonuse qiraje, pra qira të plota 100%. Kemi qenë me kryeministrin në disa prej tyre edhe vetëm ideja që janë tashmë në një shtëpi më të mirë, fakti që kanë lënë një pallat që është shpallur i pabanueshëm dhe për të kaluar në një pallat të ri, ku në një pjesë të madhe u kanë tepruar nga qiraja duke qenë se qiratë në Kinostudio, Kombinat janë modeste, janë tashmë më mirë edhe pse kjo është një zgjidhje afatshkurtër. Dhe besoj që zgjidhja afatgjatë i ndërtimit të lagjeve të reja sigurisht do të vijmë këtu me propozimet kur ti kemi dizenjot finale të atyre projekteve do të jetë një situatë akoma më e mirë. Por për ta mbyllur këtë projekt ashtu siç kemi premtuar para festave që ti gjejnë njerëzit e strehuar sot do të kalojmë edhe 606 bonuse qirash të tjera dhe në total do të shkojmë 1794”, tha Veliaj.