Miratohet ndihma financiare për bizneset e vogla! Refuzohen 18% e aplikimeve...

9 Prill 2020, 15:19

TIRANË- Si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit, dhe në përputhje me aktet normative dhe vendimet më të fundit të qeverisë për përballimin e situatës ekonomike, deri tani është miratuar ndihma ekonomike për 12 mijë e 640 biznese të vogla, dhe për 20 mijë e 636 punonjës. Nga këto aplikime që janë miratuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve janë paguar 17.231 punonjës, ndërsa janë në proces disbursimi edhe 3.405 punonjës të tjerë.

Në total referuar të dhënave të përditësuara nga Tatimet nga data 1 prill deri më 8 prill kanë aplikuar për “pagën e luftës” 49.232 biznese dhe 86.656 punonjës. Sipas të dhënave, ka përfunduar verifikimi për 42% të aplikimeve, ndërkohë që janë në proces verifikimi 58% e aplikimeve të tjera.

Janë refuzuar 18% e aplikimeve të bëra, pasi është verifikuar se ato nuk bënin pjesë në grupin e ndërmarrjeve që ushtrojnë aktivitet që mbyllet. E përkthyer në shifra, kanë qenë 15.153 ndërmarrje që kanë aplikuar dhe janë refuzuar. Niveli më i lartë i refuzimeve është në Kukës.

Tirana mban vendin e parë me numrin më të lartë të aplikimeve dhe me numrin më të lartë të aprovimeve të pagës. Bazuar në tabelat e tatimeve, në kryeqytet kanë marrë “pagën e luftës” 7.199 punonjës. Në vend të fundit për numrin e përfituesve të “pagës së luftës” renditet Kukësi me 306 punonjës të paguar.