Miratohet në parim buxheti i vitit 2020/ Denaj: Ka nevojë për rishikim! Pezullohen projektet që s’kanë nisur

5 Dhjetor 2019, 19:03

TIRANË- Janë miratuar në parim të gjitha ndryshimet në ligjet fiskale që janë pjesë e paketës fiskale si dhe buxheti i vitit të ardhshëm. Me 92 vota pro ka kaluar buxheti i vitit 2020.

Po ashtu janë miratuar edhe aktet normative të propozuara nga Këshilli i Ministrave për t’ju ardhur në ndihmë familjeve të prekura nga tërmeti. U miratuan propozimet për pensionin special për pensionistët që kanë humbur familjarët e tyre në vlerën e 60 mijë lekëve në muaj dhe paga prej 100 mijë lekë për familjet që humbën familjarët nga tërmeti për gjithë jetën.

Ndërkohë vlen të theksohet se pavarësisht se projektbuxheti i vitit 2020 u miratua në parim, ai pritet të pësojë ndryshime gjatë diskutimeve nen për nen në Komisionin e Ekonomisë, për të krijuar hapësira për të kaluar fonde tek programi i rindërtimit. Projektet që ende nuk kanë nisur do të preken drejtpërsëdrejti nga ndryshimet.

Nga ana tjetër ish ministri i Financave Arben Ahmetaj ka bërë të ditur disa nga shifrat që janë parashikuar aktualisht se do të jenë pjesë e programit. Sipas tij puna do të nisë me një fond prej 200 milionë dollarësh në dispozicion, por që nuk do të cenojnë parametrat e buxhetit.

Ahmetaj ka theksuar se gjatë këtyre ditëve janë strehuar në hotele 4000 qytetarë dhe se kostoja e akomodimit në hotele arrin në 2.4 milionë dollarë. Gjatë seancës nuk kanë munguar akuzat nga opozita, e cila është shprehur se qeveria duhet të vendosë përpara ligjit përgjegjësit e këtij dëmi, nëse ka.