Mirëdita Mësuese - Mësimi 14

8 Korrik 2019, 12:30 | Përditesimi i fundit: 2019-07-08 14:09:32

Mësuese Anjeza sot na njeh me përshtatjen, si një nga mënyrat më të mira dhe më të rëndësishme të thënies së fjalëve dhe shprehjes në gjuhën shqipe. “Të marrësh një pozicion” në shqipe nuk do të thotë asgjë, sepse është bërë një përkthim fjalë për fjalë, si në italishte dhe frëngjishte I “prendere una posizione” dhe “prendre une position”. Duhet ta bëjmë të kuptueshme atë që themi për të gjithë dëgjuesit dhe shikuesit duke thënë, “të përkrahësh dikë”, “të mbash anën e dikujt”, “të mbash krahun e dikujt”. Së dyti, mësuese Anjeza rikujton përdorimin e “pavarësisht nga kushtet, rrethanat, mendimet”, e cila sa vjen e zëvendësohet me “pavarësisht kushteve, mendimeve, rrethanave”. Një ndajfolje po zëvendësohet, apo përdoret si parafjalë. Fjala e huaj për sot është “lançoj”: ç’kuptim mbart kjo folje? Pse nuk duhet përdorur në shqipe? Mësuesja jonë me durim e dashuri shpjegon dhe saktëson edhe këtë radhë.