Mister skenari opozitar për vjeshtën, Basha vijon me sulmet kundër Ramës nga rrjetet sociale

30 Gusht 2019, 13:55

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha vijon që të denoncojë dhe sulmojë kryeministrin Edi Rama duke e akuzuar për vjedhje të shqiptarëve, të cilët sipas tij nuk sigurojnë dot bukën e gojës. Në një status në rrjetet sociale, Basha thotë se Edi Rama është artist i mashtrimit dhe se zgjidhja e problemit është largimi i tij.

"Varfëria, papunësia, mungesa e mundësive vijnë nga grabitja që po i bëhet Shqipërisë nga Edi Rama me një grusht klientësh. Paratë tuaja, paratë e shqiptarëve po i vjedh Edi Rama me familjen dhe miqtë e tij. Pasurohen të pushtetshmit dhe të pasurit, varfërohen njerëzit e thjeshtë dhe të pambrojtur.

Miliarda euro janë vjedhur, abuzuar dhe shpërdoruar nga Edi Rama këto 6 vjet, të gjitha kanë përfunduar në xhepat e tij ose janë shpërdoruar për tekat e tij në fasada dhe lluks, ndërsa shqiptarët nuk sigurojnë dot bukën e përditshme.

Shqiptarët janë pa punë, sepse ekonominë dhe mundësitë ekonomike i kanë marrë oligarkët dhe klientët e Edi Ramës.

Edi Rama është artist i mashtrimit. Çdo gjë që ka premtuar, cdo gjë që ka thënë ka qenë mashtrim me qëllim për të vjedhur. Çdo projekt, program dhe politike është mashtrim për shqiptarët në shërbim të oligarkëve.

Që të çlirojmë ekonominë dhe të hapim vende pune e mundësi për çdo shqiptar, duhet të largojmë Hajdutin Psiqik dhe bandën e tij grabitqare. Hajduti Psiqik, Rama Ik, Shqipëria Si Europa" shkruan Basha.

Sulmet e liderit demokrat kundër kryeministrit këtë verë kanë qenë nga rrjetet sociale me akuza dhe denoncime, ndërsa ende nuk dihet konkretisht se cili do të jetë skenari opozitar në vjeshtë tani që nuk janë në asnjë institucion qëndror dhe lokal.

    No videos found.