Misteri/ 64 projektligjet që u tërhoqën nga Kuvendi, nga drafti për Metën tek nisma anti-KÇK

12 Gusht 2020, 21:01

TIRANË- Gjatë shtatë vitive të fundit, në Kuvendin e Shqipërisë janë depozituar për miratim 64 projektligje, të cilat janë tërhequr më pas nga propozuesit para se të votoheshin në seancën plenare. 21 nisma ligjore janë depozituar dhe më pas tërhequr nga Kuvendi nga qeveria, ndërsa 43 projektligje janë depozituar dhe më pas tërhequr nga deputetët, kryesisht të mazhorancës. Mes nismave ligjore të tërhequra është edhe projektligji për Presidencën, i propozuar nga deputeti Ulsi Manja në vitin 2016. Nisma ligjore parashikonte në detaje mënyrën e emërimit dhe shkarkimit të Presidentit, kompetencat e kreut të shtetit, aktet që nxjerrë Presidenti, trajtimin financiar të Presidentit dhe familjes së tij etj.

Nisma ligjore u tërhoq nga Kuvendi pas zgjedhjes së Ilir Metës President. Ndërkaq, në vendimin e Kuvendit të datës 27 korrik 2020, për të mos shkarkuar nga detyra Ilir Metën, parashikohet rikthimi dhe votimi i këtij projektligji të tërhequr. Mes nismave të tërhequra, rezulton projektligji anti-KÇK në drejtësi. Nisma parashikonte disa ndryshime në ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke i dhënë kompetencë KLP dhe KLGJ të pezullonte nga detyra brenda 6 ditëve gjyqtarët dhe prokurorët e denoncuar për shkelje. Kuvendi e votoi këtë nismë ligjore, por Presidenti Ilir Meta e rrëzoi si antikushtetuese. Kur pritej rivotimi i ligjit siç ka ndodhur edhe në raste të tjera, mazhoranca e tërhoqi nga Kuvendi.Gjithashtu janë tërhequr nga Kuvendi pas depozitimit projektligjet për koncesionet, për nxitjen e punësimit, projektligji për strehimin social, për organizmin dh funksionimin e policisë gjyqësore, për ndihmën juridike, për profesionin e avokatit si dhe disa nisma për ndryshimin e Kodit Penal dhe Kodit Zgjedhor. Ndërkaq, është pezulluar edhe projektligji për disa ndryshime në ligjin për Policinë e Shtetit, ku policia i merr Prokurorisë kompetencën e përgjimeve.

    No videos found.