Një telefon satelitor i sekuestruar brenda jahtit luksoz “Atik Bey” dhe navigatori GPS,i këtij mjeti lundrues është dërguar për ekspertim nga prokuroria e Lezhës, e cila është dhe institucioni që po heton këtë çështje. Telefoni satelitor është gjendur gjatë këqyrjes filmike dhe me fotografim, që i është bërë jahtit nga ana e policisë dhe prokurorisë Lezhë. Ky telefon i përket kapitenit të jahtit “Atik Bey”, shtetasit turk Sezgin Yavuz, i cili prej gati një muaj rezulton i zhdukur dhe nuk ka asnjë të dhënë mbi vendodhjen e tij. Nëse ky telefon satelitor do të arrihet të dekodohet dhe të mësohet se cilat kanë qenë komunikimet e kapitenit me personat e tjerë, atëherë do arrihet të hidhet më tepër dritë mbi zhdukjen misterioze të Sezgin Yavuz. Eskpertimi i navigatorit GPS të jahtit dhe telefonit satelitor të gjendur në jaht, do të kryhet nga eskpertët e laboratorit të Ministrisë së Brendshme.Deri në këto momente, ka rezultuar e konfirmuar edhe nga të dhënat e mara nga Forca Dedatare, se drejtuesi i Jahtit me hyrjen në ujërat territoriale Shqiptare, ka fikuar navigator disa herë, çka ka krijuar dyshime se kapiteni turk mund të jetë takuar me dikë tjetër në det të hapur, i cili po ashtu ka qenë në lundrim. Ndërkohë për këtë çështje vijojnë hetimet edhe për sa i përket mbledhjes së informacioneve mbi të kaluarën e kapitenit të jahtit luksoz shtetasit turk, Sezgin Yavuz dhe pronarit të mjetit lundrues biznesmenit të tekstileve Nedim Akyuz.
Ky i fundit disa herë ka bërë përpjekje në prokurori, madje duke futur në këtë çështje dhe influencën e ambasadës turke, por sërish prokuroria e Lezhës ka vendosur të mos kthejë mjetin lundrues, pasi kjo është e vetmja provë që ekziston mbi këtë çështje. Jahti për prokurorinë e Lezhës është një vendngjarje, dhe deri në këto momente ai po trajtohet si një vendngjarje. Pista kryesore e hetimin, siç është raportuar më herët, është prishja e pazareve të drogës dhe mundësia e vrasjes së kapitenit. Për herë të fundit ky jaht është regjistruar në portin e Tivarit në Malin e Zi, aty ku kapiteni Sezgin Yavuz ka qëndruar nga data 30 gusht deri në datën 2 shtator. Sinjali i fundit i përket orës 18:20 minuta në datën 2 shtator në afërsi të Kotorrit në Malin e Zi ku dhe më pas komunikimi i tij me GPS është fikur. Kapiteni ka fikur transponderin GPS për 14 ore teksa ishte në brigjet Shqiptare, në vijën bregdetare Dhërmi- Seman dhe Durrës-Velipojë. Më konkretisht gjatë orës 17:25 (15 korrik) deri 00:21 (16 korrik) është fikur GPS përgjatë brigjeve në jug nga Dhërmiu në Seman.