Misteri i vdekjes në shtratin martesor!Vëllai: Kush ma vrau motrën?! Do ja marr dhe unë jetën atij!

16 Dhjetor 2019, 17:16

LIBRAZHD - Këtë të hënë 19-vjeçarja Rezarta Hajdari u përcoll për në banesën e fundit nga familjarët e saj në fshatin Xhyrë të Librazhdit, ndërsa vdekja e saj në shtratin martesor pesë ditë pas lidhjes në martesë me Olsi Hajdarin, 27 vjeç, mbetet ende mister. Familja e vajzës nuk ka pranuar në varrim Olsin dhe familjarët e tij, ndërsa njëzëri thonë se do t'i shkojnë deri në fund të vërtetës. Për ta është e pabesueshme pista e ngritur nga Olsi Hajdari, se ai vetë dhe Rezarta patën probleme prej mangallit me prush që ai ndezi në dhomën e gjumit. Sipas Hajdarit, nga izolimi i dhomës, me derë e dritare mbyllur, ata janë asfiksuar, ku fatkeqësisht Rezarta ndërroi jetë, ndërsa 27-vjeçari doli nga spitali ditën e djeshme.

Mes lotësh, në krah të nënës, vëllai i 19-vjeçares thotë se do të kërkojë me ngulm të zbulojë nga se vdiq motra e tij, ndërsa nuk e beson historinë e mangallit, pasi thotë se edhe Olsi do të kishte humbur jetën nga asfiksia."Unë dua të di pse vdiq motra ime, se ajo ishte mirë nuk do të lë asnjë rehat. Do ta kërkoj drejtësinë deri në fund. Si vdiq, kush ja mori jetën. Jemi mbledhur të gjithë si fis, po shkojmë të denoncojmë. Çfarë pati motra, një javë pas dasme. Kush ja mori jetën motrës sime. Nuk do t'i lëmë rehat. Do ja marr edhe unë jetën qysh iku motra ime nën dhe, ashtu do të iki edhe ai nën dhe. Fola mbrëmë me Olsin me telefon edhe pyeta si ishte ngjarja, më tha: hëngrëm darkë, shkuam për të fjetur dhe mora një mangall me prush e vendosa në dhomë dhe fjetëm. Kaq mbaj mend, nuk mbaj mend asgjë. Se ku më çuan e ku ikëm nuk mbaj mend asgjë. Unë dua ta di cfarë pati motra ime. Nuk është e vërtetë, se mangalli me prush do ja kishte marrë jetën edhe atij", thotë vëllai i Rezartës.