LEZHË- Mjekëve të spitalit të Urgjencës në qytetin e Lezhës u është dhënë një shpërblim prej 5 mijë lekësh nga qeveria për muajin mars, por ata e kanë refuzuar duke kërkuar që kjo shumë të shkojë për fëmijët në nevojë.
Motivi i këtij refuzimi, sipas tyre është sepse janë të zhgënjyer dhe të indinjuar pasi shprehen se u ishte premtuar nga kryeministri Edi Rama se do të paguheshin 500 euro-1000 euro për periudhën e emergjencës së COVID-19. Një gjë e tillë, sipas bluzave të bardha është mungesë vlerësimi. Megjithatë kanë theksuar se pavarësisht kësaj nuk do të ndërpresin punën për asnjë momente. Personeli i urgjencës në Lezhë ka përgatitur një peticion i cili do t'i dërgohet Ministrisë së Shëndetësisë, ku kërkohet që të mbahet premtimi për shpërblimet e premtuara, me argumentin se deri tani kanë trajtuar 14 pacient me COVID-19 dhe janë mjaft të rrezikuar në punën e tyre.