Mjekja e COVID-2 Eugerta Dilka: Rrespektimi i masave ka ulur shtrimet në spitale!

25 Mars 2021, 21:49

Uljen e numrit të të infektuarve me COVID-19 gjatë ditëve të fundit, por edhe të të shtruarve në spitale, mjekja pneumologe e COVID2, Eugerta Dilka e shpjegon se ka ardhur nga respektimi i masave të vendosura nga Komiteti Teknik, por edhe nga vetëndërgjegjësimi i qytetarëve. Ndikim sipas saj ka edhe vaksinimi.

“Javën e fundit vihet re një ulje e numrit të pacientëve  tonë si dhe e pacientëve që paraqiten në urgjencë. Në përgjithësi pothuajse të gjithë pacientët janë me mungesë oksigjeni. Pra kanë të nevojshme praninë e oksigjenit, si dhe me një prekje të pulmonit në skaner me 50%.

Mosha mesatare e pacientëve të shtruar në spital janë rreth 40 deri në 70 vjeç. Janë pacient që paraqiten në gjendje të rëndë, janë pacientë që kanë nevojë për oksigjeno-terapi dhe janë pacientë me temperaturë të lartë që nuk dominohet nga medikamentet që i marrin në shtëpi.

 Arsyet e pacienteve të paraqitur në spitalin tonë dhe rënia e numrit të rasteve në përgjithësi është efekti i vonshëm i masave parandaluese të marrë nga Komiteti Teknik. Njëkohësisht ka vlerë dhe ndërgjegjësimi i vetë popullatës si mbajtja e maskës dhe distancomi social. Masat duhet të vijojnë. Gjithmonë duhet të jemi alert për këtë lloj virusi”, tha mjekja pneumologe, Eugerta Dilka.

Por pavarësisht gjendjes së qëndrueshme mjekja bën thirrje që mos të ulet vigjilenca.

“Mënyra më e mirë për të trajtuar këtë sëmundje është parandalimi. Ju këshilloj të gjithëve që respektojnë masat parandaluese. Mënyra më e mirë për të planifikuar të ardhmen është ashtu siç e vendosim ne”, përfundoi mjekja.