Mjekja shqiptare në Como: Dy gabimet që bëri Italia, kulmi i të infektuarve në fund të marsit, ja maskat që përdorim për koronavirusin

11 Mars 2020, 22:34

Mjekja shqiptare Rubjona Xhani që punon në spitalin e Comos në Itali në një lidhje me Skype me emisionin Repolitix u shpreh se situata në vendin fqinj agravoi për dy shkaqe, ndërsa paralajmëroi se kulmi i të prekurve do të jetë në fund muajit mars.  "Situata është dramatike. Nga ana politike nuk u morën menjëherë masat e duhura, ato ndryshuan vazhdimisht duke u bërë më të rrepta që të izolohet Lombardia tamam. Kjo marrje e lehtë e masave krijoi përhapje e virusit. Kryeministri jonë, Conte u përball me këtë situatë, dhe nuk pati mbështetje nga forcat e tjera dhe kjo krijoi përçarje dhe në popull pati mosbesim. Ana tjetër është civile, qytetarët nuk u ndërgjegjësuan shumë që në fillim dhe për dy javë është pritur por bashkëpunimi i njerëzve nuk erdhi nga të gjithë" tha ajo.