Mjeku i njohur Sallabanda në Report Tv: Shqiptarë, mbani maskën! COVID-i s'e prek trurin, zbuloni infeksionin nga ujërat e zeza

27 Gusht 2020, 15:25

TIRANE-Mjeku shqiptar Kita Sallabanda, profesori i neurokirurgjisë në Universitetin Complutense të Madridit ishte i ftuar ditën e sotme në studion e Report Tv në një bisedë me gazetarin Andi Kapxhiu për të folur për situatën e shkaktuar nga koronavirusi në vendin tonë, menaxhimin dhe atë që pritet që të ndodhë në vjeshtë. Mjeku u shpreh i shqetësuar nga ajo që kishte konstatuar nga turi që zhvilloi në Shqipëri. Sipas tij, njerëzit nuk janë të ndërgjegjësuar për rrezikun duke mos respektuar masat.

"Nuk ka një ndërgjegjësim të popullatës. Në Tiranë, në Himarë, Vlorë, Livadh, në Berat, në Belsh, kam parë që njerëzit nuk janë të ndërgjegjësuar, për mbajtjen e maskës. Një qytetar më tha se të pashë në një rrugë dhe ishim vetëm ti dhe unë që kishim maskën. Për të ardhur keq që njerëzit nuk janë të ndërgjegjësuar. Mortaliteti në Shqipëri është 3-5%, më i lartë se në Europë. COVID-i lë pasoja dhe ata që nuk e kanë kuptuar është problem serioz. Ata që mendojnë se COVID do të zgjidhet me masa mjekësore gabohen. Kjo është cështje sociale, e shoqërisë, politiko-shoqërore. Me masa administrative mund ta përballojmë, nuk mund ta përballojmë me ilaçe dhe reanimacion për momentin".