Mjeku shqiptar në Itali: T'i shikosh vëllezërit që vënë në rrezik jetën, Krenari

30 Mars 2020, 13:46

Për mjekët shqiptarë që prej vitesh shërbejnë në Itali, ardhja e 10 mjekëve dhe 20 infermierëve për të ndihmuar Italinë në luftën kundër COVID-19 është krenari e rrallë dhe një emocion i papërshkrueshëm.

Genc Kapxhiu, mjek  në spitalin San Donato në Arezzo, Itali, në një komunikim me Skype për Repoet Tv, tha se është emocion i rrallë të shohësh që vëllezërit nga Shqipëria vijnë të ndihmojnë Italinë mike duke e ditur mirë edhe rrezikun që i pret.

Edhe tani që po ma thua me të vërtetë më emocionon sepse është një krenari, diçka e rrallë, shumë e mirë, sepse neve nuk na ndihmoi Evropa. Kanë ardhur vetëm Kina, Rusia, Kuba dhe shqiptarët. Ti shikosh vëllezërit shqiptarë duke ditur që vënë në rrezik edhe jetën e tyre, është diçka e lartë, komplimente. Të gjithëve personalisht, por edhe shtetit dhe kryeministrit", tha mjeku i urgjencës Genc Kapxhiu.

I veshur me veshjen e 'gatishmërisë' Kapxhiu për të qenë gati në çdo rast, mjeku gjeti kohë të përçojë këto emocione për teleshikuesit nga ekrani i Report Tv, ndërsa foli edhe për situatën me COVID-19 në Itali.

"Në krahasim me ditët e kaluara, brenda 24 orëve kemi arritur 97800 persona pozitiv me koronavirus. Po rritet shumë numri i të shëruarve. Pacientët po shtrohen dhe po kurohen në mënyrë perfekte, dhe do të thotë që trajtimi po funksion. Më mirë preferojmë të kalojmë një muaj e dy muaj në këtë situatë, e të kemi diçka konstante, sesa një pik që do ta çojë sistemin në kolaps. Kanë humbur jetën rreth 11 mijë persona. Numri është shumë i lartë. Kemi parë edhe pacientë në mosha të reja, 40-50 vjeç. Por mosha më e lartë është sipër të 70-ave. Nuk mund të parashikohet se si do të shkojë kjo epidemi dhe sa viktima do të krijojë në të ardhmen.